Më shumë se njëzet vjet pas pushtimit të Irakut, ushtarët britanikë që shërbyen në një nga objektet më të kontaminuara në zonën e pasluftës thonë se u braktisën nga vetë shteti të cilit i shërbyen.
Ata u ekspozuan ndaj një toksine vdekjeprurëse, pa mbrojtje, pa informacion të mjaftueshëm dhe – siç zbulon Sky News – pa kontrollin biologjik që parashikonin vetë udhëzimet ushtarake.
Veteranët e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), të vendosur në vitin 2003 në impiantin e trajtimit të ujit Qarmat Ali, shumë të kontaminuar, kanë zhvilluar kancer, tumore, gjakderdhje të vazhdueshme nga hunda dhe probleme serioze të lëkurës në vitet që pasuan. Shumë tani jetojnë me sigurinë se sëmundja nuk është e kaluara, por e ardhmja.
Objekti ishte i mbuluar me dikromat natriumi – një pluhur portokalli i ndritshëm, shumë toksik dhe një kancerogjen i provuar. Thasë të grisur. Kimikate në ajër. Uniforma, pajisje, çanta gjumi – të gjitha të kontaminuara. E megjithatë, ushtarët vazhduan të ruanin zonën 24 orë në ditë.
Një letër e brendshme nga shërbimi mjekësor i RAF në nëntor 2003 e pranoi qartë rrezikun. Dikromati i natriumit u klasifikua si kancerogjen i Klasit A. Direktiva ishte e qartë – ushtarët e ekspozuar duhej të identifikoheshin dhe t’u ofroheshin teste biologjike.
Por sipas 15 veteranëve që folën për Sky News, kjo nuk u bë kurrë.
Tabelë paralajmëruese, që deklaronte se nevojitet mbrojtje e plotë (uniformë dhe maskë gazi) për shkak të substancave të rrezikshme, u vendos muaj pasi mbërritën ushtarët.
Sot, katër prej tyre janë diagnostikuar me kancer, njëri me tumor në tru. Shumica flasin për një “bombë me sahat që punon”. Jo metaforikisht. Fjalë për fjalë.
Ndryshe nga SHBA-të, ku një hetim kombëtar pranoi se qindra ushtarë ishin “të ekspozuar pa dashje” ndaj kimikateve toksike dhe hapi rrugën për mbështetje dhe kompensim, në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka pasur as një hetim formal dhe as një kërkim falje.
Ministria e Mbrojtjes këmbëngul se u ofruan kontrolle mjekësore. Veteranët këmbëngulin se kjo nuk ndodhi kurrë.
Dhe ndërsa përgjigjet politike vonohen, kostoja mbulohet nga trupat e atyre që janë dërguar për të ruajtur një fabrikë – pa u thënë se po e ruanin atë – dhe një kurth kimik.
Ku është Qarmat Ali dhe pse ishte kaq i rëndësishëm?
Qarmat Ali ndodhet rreth 15 kilometra në veriperëndim të Basrës, në Mesopotaminë jugore – në zemër të rripit më kritik të energjisë së Irakut. Impianti i trajtimit të ujit i shërbente drejtpërdrejt fushave gjigante të naftës së rajonit, duke siguruar ujë të trajtuar thelbësor për nxjerrjen dhe rrjedhën e naftës së papërpunuar.
Pas rënies së Sadam Huseinit, rifillimi i prodhimit të naftës në Irakun jugor u bë një përparësi strategjike për forcat e koalicionit. Pa Qarmat Ali, fushat e Basrës nuk mund të funksiononin me kapacitet të plotë. Kjo është arsyeja pse impianti ruhej me shumë kujdes – jo për vlerën e tij ushtarake, por për rolin e tij në stabilizimin energjetik të ekonomisë së pasluftës së Irakut.
Thënë thjesht – ushtarët ishin të vendosur atje për të “drejtuar” naftën dhe ishin të ekspozuar ndaj toksinave kancerogjene jashtëzakonisht të rrezikshme për të siguruar funksionimin e qetë të ditës tjetër…



