Pas një nate tjetër kaotike të ndërrimit të viteve, Holanda po përgatitet t’i bashkohet Irlandës si një nga vendet e pakta evropiane që ndalon shumicën e fishekzjarrëve për konsumatorët. Vendimi vjen pas bilancit tragjik të festimeve të fundit, ku u regjistruan dy viktima dhe mbi 1.200 të plagosur, duke e shndërruar festën në atë që mjekët e urgjencës e përshkruajnë si një “zonë lufte”.
Bilanci tragjik dhe dhuna e paprecedentë
Yara Basta-Bos, presidente e shoqatës holandeze të mjekëve të urgjencës, thekson se niveli i dëmit që po shkaktojnë fishekzjarrët është i pabesueshëm. Përveç lëndimeve të rënda fizike, festimet e fundit u njollosën nga dhuna ndaj shërbimeve të emergjencës.
Zjarrfikësit raportuan mbi 4.000 incidente zjarri dhe u sulmuan me mjete piroteknike gjatë kryerjes së detyrës. Në Amsterdam, një kishë monumentale e shekullit XIX-të u shkrumbua plotësisht, duke nxitur thirrjet se “kjo situatë duhet të ndalet”.
Ndalimi kombëtar dhe sfidat ligjore
Ndalimi pritet të hyjë në fuqi plotësisht para mbylljes së këtij viti. Ky veprim, mbështetet nga mbrojtësit e kafshëve dhe grupet mjedisore, të cilët argumentojnë se tradita e vjetër holandeze tani po shkakton dëme të mëdha shoqërore, i mbyt qytetet me tym toksik dhe tmerron kafshët.
Megjithatë, rruga drejt ndalimit nuk është pa sfida. Industria e fishekzjarrëve, e cila arriti një xhiro prej 129 milionë eurosh në vitin 2025, kërkon kompensim financiar. Shitësit argumentojnë gjithashtu, se ndalimi mund të jetë joefektiv për sa kohë që këto mjete mund të blihen lehtësisht në vendet fqinje si Belgjika dhe Gjermania.
Një tendencë në rritje në Evropë
Debati për mjetet piroteknike nuk është i kufizuar vetëm në Holandë. Në Gjermani, mjekët dhe policia po bëjnë thirrje gjithnjë e më të forta për ndalimin e shitjeve private të fishekzjarrëve. Ndërkohë në Finlandë, një nismë iniciativë qytetare mblodhi 50.000 firma në pak ditë për të dërguar çështjen në parlament.
Qytete si Athina dhe Nikozia janë në ballë të këtij ndryshimi duke zëvendësuar shpërthimet ndotëse me shfaqje spektakolare dritash dhe dronësh.
Drejt një festimi më të sigurt
Ekspertët theksojnë se nëse shoqëria kërkon që të ndalojë përdorimin privat të fishekzjarrëve, duhet patjetër të ofrojë alternativa të sigurta, si për shembull shfaqjet e organizuara nga bashkitë. Ndërkohë, Komisioni Evropian ka filluar që të pranojë “mangësitë” në rregulloret aktuale të sigurisë dhe mjedisit, duke i hapur rrugën për një kontroll më të rreptë mbarëkombëtar.
Megjithëse për mbrojtësit e traditës ky vendim duket si “shkatërrim i argëtimit”, për autoritetet holandeze kostoja njerëzore dhe shoqërore e fishekzjarrëve është bërë tashmë e papërballueshme.


