Nga Elbasani, qeveritë e Shqipërisë e Kosovës mbajtën mbledhjen e përbashkët të radhës, nga ku nënshkruan 15 marrëveshje, përfshi këtu dhe dakordësimin për të lehtësuar ndjeshëm kalimin në kufijtë e dy vendeve të të njëjtit komb.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi, deklaroi se qarkullimi i shqiptarëve në të dyja shtetet do të bëhet pa nevojën e kontrolleve në kufi. Vendin e kontrollit do ta zëvendësojë një sistem kamerash, të cilat do të regjistrojnë hyrjet e daljet e shqiptarëve. Kjo do të thotë se qytetarët nuk kanë më nevojë të presin në radhë e të tregojnë ID-në për të kaluar kufirin.

“Qarkullimi do të bëhet pa ndalim dhe kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë, sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës, dhe çdo gjë do të jetë automatike pa pasur nevojën që të ndalohet në kufi”, ka shpjeguar Çuçi.

Marrëveshja e dytë ka të bëjë me hapjen apo kalimin në një status tjetër të kufirit midis Shishtavecit dhe Krushevës, duke bërë të mundur që këtë pikët të mos e  përdorin vetëm vendasit, por edhe të tjerë. Kjo krijon një arterie tjetër të lëvizjes. Besoj se përfitimi do të jetë i drejtpërdrejtë.

Marrëveshja e tretë, është marrëveshja që do të mundësojë lehtësinë apo lejet e posaçme që do të marrin banorët e zonave kufitare të dy vendeve për të lëvizur lirshëm jo vetëm në zonat kufitare. Të dy shtetasit e të dy anëve do të përfitojnë shërbime të njëjta në Kosovë dhe Shqipëri. Janë rreth 300 mijë banorë që do të përfitojnë. Mund të ndjekin lirisht shkollën në varësi të ndodhjes së institucioneve, mund të shkojnë të punojnë pa pasur nevojë për asnjë leje,” shtoi Ministri i Brendshëm.

Një marrëveshje tjetër me rëndësi ishte ajo për lehtësimin e procedurës për marrjen e leje- qëndrimit dhe lejes për të punuar. Gjithçka do të bëhet me vetëm një aplikim.

“…çdo shtetas në dy vendet mjafton të plotësojë një formular dhe të deklarojë një adresë të përshtatshme dhe menjëherë pa asnjë procedurë shtesë ai merr lejen 5-vjeçare dhe menjëherë do i takojë leja e përhershme, pa pasur nevojë të bëjë aplikim tjetër. Kjo leje unifikohet dhe është e njësuar me lejen e punës. Një kalvar që qytetarët e kanë hequr në kurriz deri më sot. Pa asnjë dokument vetëm kjo leje qëndrimi çdo shtetas ka të drejtë të punojë me të dy anët e kufirit.”-tha Ministri i Brendshëm i Shqipërisë.

Unifikimi i Abetares për të gjithë fëmijët shqiptarë (Kosovë e Shqipëri), pritet të jetë gati vitin e ardhshëm, siç deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Shqipëria dhe Kosova pritet të njohin diplomat e çertifikatat mes tyre, një dakordësim që u firmos së bashku me marrëveshjen për njohjen e kontributeve e sigurimeve. Kjo e fundit do t’i vijë në ndihmë njerëzve që kanë pësuar aksidente në punë, atyre me pensione invaliditeti e lejeve të lindjes.

Dy qeveritë dakordësuan dhe për fillimin sa më parë të punës për të ndërtuar linjën hekurudhore mes Durrësit e Prishtinës.

Të dy kryeministrat e vendit ranë dakord që të krijojnë një sekretariat ndërqeveritar, i cili do të kujdeset dhe ndjekë posaçërisht implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe atyre që kanë mbetur pezull.

Kjo ishte mbledhja e 7 mes dy qeverive, një aktivitet vjetor i cili nisi për herë të parë në vitin 2014. Prej këtyre mbledhjeve të përbashkëta, dy qeveritë kanë firmosur afro 100 marrëveshje.

15 marrëveshjet që u firmosën:

  • Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm;
  • Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit;
  • Marrëveshja ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash);
  • Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës së Kosovës “Për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”;
  • Për miratim, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, për sigurimet shoqërore;
  • Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave;
  • Marrëveshje Bashkëpunimi: Në fushën e Trashëgimisë Kulturore midis MKRS & MK;
  • Protokoll Bashkëpunimi Ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.
  • Marrëveshje për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë;
  • Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Institucionit kompetent të palës kosovare;
  • Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-të (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave);
  • Manual i Përbashkët për procedurat standarde të operimit në Doganën e Durrësit;
  • Manuali Për procedurat standarde të operimit në piken e përbashkët të kalimit kufitar (PPKK) Morinë-Vermicë;
  • Marrëveshje dypalëshe për qasje të ndërsjellë në modulet e riskut;
  • Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të RSH-së dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Republikës së Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re