Rriten temperaturat, por moti do të jetë i paqendrueshëm. Kështu parashikohet moti për festat e nëntorit.

Meteorologia Lajda Porja, duke folur për studion e News 24, është shprehur se sot në mbrëmje largohet masa e të ftohtit siberian, duke shtuar se vendi do të përfshihet nga mot më i butë, por me reshje shiu dhe bore.

“Parashikohet që sonte në mbrëmje  të kemi një largim gradual të kësaj mase të ftohët siberiane duke bërë që mëngjesi i së martës të ndryshojë totalisht sa i përket situatës termike.

Sot është një ditë shumë e ftohtë, -8 gradë Peshkopia, qyteti më i ftohtë i ditës së sotme, ndërsa qarku i Korçës -6.

Megjithatë, sonte do të rinisin reshjet. Do të futet një masë më e ngrohtë dhe e lagësht duke bërë që gjatë natës të kemi reshje shiu në ultësirën perëndimore dhe borë në zonat malore, veri lindje dhe juglindje.

Sa i përket festave, nesër do të kemi kushte të paqëndrueshme atmosferike në të gjithë vendin, përfshirë dhe kryeqytetin, ku janë lajmëruar shumë festime.   Reshjet do të jenë me intensitete të ulëta. Pra, edhe pse do të ketë rritje temperaturash, reshje do të ketë. Në Korçë priten reshje dëbore me sasi të dendur.

Të mërkurën, reshje do të ketë deri në mesditë, ndërsa në vazhdim deri të shtunën, do të ketë kthjellime. Të shtunën rinisin reshjet”, tha Porja.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re