Emisioni “Identiteti” nga Aida Shtino në Fax News ka zbuluar të vërtetën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Askush nuk e di se ku gjendet origjinali i aktit të shpalljes së pavarësisë, firmosur në pasditen e 28 nëntorit 1912 në Vlorë pasi të gjitha hulumtimet e bëra nga studiues të apasionuar, humbasin në vitin e largët 1937.

Si është e vërteta e Pavarësisë së Shqipërisë?

Aida Shtino: Sa herë afron dita e shpalljes së Pavarësisë ndjej një emocion të veçantë…është një emocion i përzier me gëzim dhe trishtim…gëzim për krijimin e Shtetit të parë shqiptar të cilin e gëzojmë sot dhe trishtim për atë pjesë të kombit dhe trojeve tona që ngelen jashtë kufirit Shqiptar…

Në çdo 28 nëntor hyjmë në mendime dhe mundohemi të kuptojmë atë që ka ndodhur me Shqipërinë…

Në këto kushte që jemi sot a do ti gjykonim ata burra që pranuan atë pavarësi të cunguar duke lënë gjysmën e trojeve shqiptarë jashtë? Mendoj se Po.

Por nëse do të udhëtonim në kohë dhe do të kuptonin kushtet dhe rrethanat e Shqipërisë të atyre viteve si edhe me gjithë armiqtë që ajo ndeshej, atëherë do të kuptonim se për kohën ajo ishte zgjidhja më e mira e mundshme, përndryshe Shqipëria ndoshta do të ishte copëtuar…

Por kur u projektua Pavarësia e Shqipërisë…?

Thuhet se guri i themelit u vendos në Shkup…

”Shoqëria e Zezë për Shpëtimin e Shqipërisë” ju dorëzon një letër proklamate konsullatës austro-hungareze dhe gjermane,si edhe përfaqësuesve diplomatik rus, francez, anglez dhe atyre italianë me vulë të, në të cilën thuhet:

“Shqipnia i ka rrokur armët jo për me forcue dominacionin e Turqisë në Ballkan, por për me i dalë zot tanësisë tokësore e lirisë së Shqipnisë. Pra, qysh prej sodit po ju deklarojmë se sido që të jetë fati i armëve, shqiptarët nuk kanë me pranue për katër vilajete veç se një formë politike e një formë sundimi, dmth një formë të vetme qeverisjeje”

A ishte kjo shkëndija e parë që u ndez në Shkup ?

Mesa duket po. Kjo u pasua më tej me shumë veprimtari derisa u mbërrit tek data 28 nëntor kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe ju dërgoi një letër fuqive të mëdha ku ju shkruante:

“Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqesitë tuaja se delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohshme. Shqiptarët po gëzohen që munden të hynë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër veç se të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjithë shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike dhe kombëtare i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe evropiane.

Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali- Vlorë”

Mbas kësaj askush nuk e di se ku gjendet origjinali i aktit të shpalljes së pavarësisë, firmosur në pasditen e 28 nëntorit 1912 në Vlorë. Të gjitha hulumtimet e bëra nga studiues të apasionuar, humbasin në vitin e largët 1937…

Disa thonë se kopja origjinale ishte pronë e Lef Nosit, edhe ai firmëtar i aktit dhe një koleksionist i apasionuar nga Elbasani.

Më 1944, Lef Nosi u pushkatua si kolaboracionist, ndërsa koleksioni i tij, kryesisht u shkatërrua. Deri me 1944, ai dispononte në Bankën Shqiptare një kasetë sigurie, në të cilën duket se ruante edhe dokumentin me të vlefshëm të historisë së Shqipërisë. Nuk dihet se çfarë është bërë me kasetën dhe nuk dihet se çfarë është bërë me aktin origjinal të shpalljes së Pavarësisë.

Në këtë pikë historia futet në terr dhe deri më sot nuk dihet se ku ka përfunduar akti original i shpalljes së pavarësisë…

Këtu lind pyetja kush e fshehu dhe për çfarë arsye…?

Mendoni se ka ardhur koha që gjithçka të dali në dritë dhe njerëzit të mësojnë të vërtetën e asaj që ndodhi në 28 nëntor të vitit 1912…?

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re