Arjani e Vilma, çifti që u përplas ditën e djeshme teksa ecnin në vijat e bardha në Rrugën e Kavajës, aktualisht ndodhen në repartin e trajtimit intensiv në spitalin e traumës në Tiranë.
Fatmirësisht të dy janë jashtë rrezikut për jetën, por aksidenti i djeshëm ka shkaktuar lëndime serioze për çiftin e fëmijës 3 muajsh. Abc ka mësuar se Arjani ka pësuar fraktura në këmbë e pjesën e legenit. Vilma po ashtu ka marrë dëmtime serioze, një hemorragji të brendshme si pasojë e përplasjes nga automjeti i Ajas Sulejmanit.
Foshnja e tyre mrekullisht shpëtoi pa lëndime. Fëmija ka dalë këtë të hënë nga spitali. Çifti u bë me fëmijë pas afro 20 vitesh martesë.
Ndërkohë 39 vjeçari që goditi çiftin tashmë ndodhet nën pranga. Policia tregoi ditën e djeshme se ai kishte qenë nën efektin e lëndëve narkotike kur po drejtonte makinën. Në momentin e aksidentit, 39 vjeçari lëvizte me shpejtësi të lartë, pa respektuar semaforin. Përpara hetuesve ai ka pretenduar se shpejtonte pasi do të çonte të bijën e mitur në spital, por një arsyetim i tillë nuk i ka bindur hetuesit.
39 vjeçari përballet me tre akuza penale: “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor”, “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Drejtim mjeti ne menyre te parregullt”.