Banorët në Lezhë shprehen të tronditur nga ngjarja e rëndë që ndodhi paraditen e djeshme, ku 21-vjeçari Aldi Rama qëlloi në drejtim të nënkomisarit të Policisë së Shtetit Saimir Hoxha.

Disa qytetarë që kanë folur për mikrofonin e Fax News shprehen se përgjegjës për këtë ngjarje tronditëse janë drejtuesit e policisë së shtetit, që i kanë çuar efektivët pa antiplumb drejt parcelave me kanabis, ku dihet se ka persona me rrezikshmëri të lartë.

“Për mua është totalisht i drejtuesve të Policisë dhe Ministrisë së Rendit. Si ka mundësi që shkojnë 3 policë me duar në xhepa, përballë një krimi, në parcela që qarkullojnë miliona euro. Shkojnë policët në parcelën me kanabis me jelek beze. Për mua është faji totalisht i shtetit, ka 30 vite që nuk vlerësohen profesionistët. Nuk ka më dhimbje të madhe, ai i shkreti duke i nisur nga morali dhe profesionizmi”, shprehet një qytetar.

Ndërkohë që një tjetër përgjegjës e bën shtetin dhe për 21-vjeçarin, që vrau veten, pasi qëlloi mbi Hoxhën, ku thotë se familja e tij ishte e varfër, dhe u rrit nga gjyshërit, për shkak të problemeve të prindërve të tij.

“Është shumë e rëndë, është mungesa e shtetit. Mungesa e shtetit, këta janë njerëz që janë lënë rrugëve, edhe kafshët duan që të mbijetojnë dhe shkojnë nëpër male. Këtu njerëzit janë të pashpresë, marrin rrugët edhe ikin jashtë. Droga vetëm se fut vëllavrasje, me shpresën e Zotit dhe të Amerikës, duhet të forcohet shteti. Fëmijë të pafajshëm, se nuk ka fëmijë kriminelë”, tregon një tjetër qytetar.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re