Skip to content

Si i përgjigjen shqiptarët pyetjes: Çfarë është më e rëndësishme për të ecur përpara në jetë?

 

 

Nëse i pyet shqiptarët në Shqipëri se cila është gjëja më e rëndësishme për të ecur përpara në jetë, shumica e tyre do të thonë një arsim i mirë.

Konkluzioni është përcjellë nga Barometri i Ballkanit 2021, zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

82% e të anktetuarve mendojnë se arsimi i mirë është ai element që mund të të çojë përpara. Në raport me Kosovën, Bosnjen, Maqedoninë e Veriut apo serbët, rezulton sipas anketës se shqiptarët e Shqipërisë e konceptojnë të ardhmen e tyre përmes arsimimit.

Pas arsimimit, në rend të dytë vjen puna dhe të punuarit fort. 69% e të anketuarve e kanë zgjedhur punën si arritjen e dytë më të madhe në jetë, përqindja më e lartë rajonale, pasuar nga Kosova e Mali i Zi.

Tabele e publikuar nga Barometri i Ballkanit

Ndryshe nga të tjerët, në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, pjesa më e rëndësishme për të ecur përpara në jetë është të njohësh njerëzit e duhur.

Siç vë në dukje anketa: “Rezultatet nxjerrin në pah një fakt interesant; është rritur ndjeshëm numri i të anketuarve që mendojnë se të paturit një shkollë e punë të mirë janë dy faktorët kryesore për një të ardhme. Por po ashtu ka rritje të njerëzve që mendojnë se të qenit me fat, me njohjet e duhura apo duke qenë i pasur, mund të kesh të ardhme. Përqindja për këto kategori është dyfishuar këtë vit.

Në nivel rajonal (Ballkan), të paturit shkollim dhe të punuarit fort janë njëlloj të vlerësuara si dy komponentët më kryesore që sjellin një të ardhme më të mirë. 58% e popullsisë mendon kështu. Përqindja e njerëzve që mendojnë se edukimi i mirë sjell një të ardhme më të mirë, ka një rritje prej 32 pikësh, duke qenë kësisoj një shifër e paprecedentë që nga krijimi i “Balkan Barometer”.

Po ashtu rritje ka dhe ‘njohja e njerëzve të duhur’, shifër e cila në krahasim me studimin e 2019, ka një rritje prej 24 pikë përqindje.”