Emmanuel Macron propozoi formimin e një komuniteti të ri politik në Evropë, i cili do të përfshinte si Ukrainën ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjermania nuk dëshiron të jetë “frenues”, por ka pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e Ballkanit.

Pjesa qendrore e atij komuniteti do të ishte Bashkimi Evropian (BE). Kështu, në situatën aktuale gjeopolitike, ato vende që nuk janë ose nuk duan të jenë anëtarë të BE mund të mblidhen, tha Macron të hënën (9 maj) në mbrëmje në Berlin.

Kryeqyteti gjerman ishte destinacioni i udhëtimit të parë jashtë vendit të Macron, pasi ai u betua për një mandat të dytë presidencial. Në Berlin, ai u takua me kancelarin federal Olaf Scholz, i cili e quajti idenë e Macron “shumë interesante”, shkruan DW.

Është një ide që të kujton një partneritet të privilegjuar që BE-ja prej kohësh dëshiron t’i ofrojë Turqisë – si një lloj “çmimi ngushëllues” në vend të anëtarësimit të plotë në Union. Macron e prezantoi idenë e tij edhe në Parlamentin Evropian në Strasburg, ku u mbajt Konferenca për të Ardhmen e Evropës. Franca aktualisht mban Presidencën e Këshillit të BE-së.

Sidomos në Francë ka një skepticizëm të madh për idenë e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian. Ashtu si paraardhësit e tij në Pallatin Elysee, Macron po shtyn përkundrazi të thellojë integrimin në BE në përbërjen e tij aktuale dhe të hënën propozoi një ndryshim të Traktatit të BE-së, d.m.th. heqjen e konsensusit kur merr vendime, për shembull, mbi politikën fiskale ose të mbrojtjes. Propozimi parashikon marrjen e vendimeve me një “shumicë të kualifikuar” votash.

Pavarësisht se kancelari gjerman Scholz iu përgjigj pozitivisht propozimeve të Macron, formimi i një bashkimi të mundshëm politik mund të çojë në konflikte të reja. Ukraina këmbëngul për anëtarësimin e plotë në BE dhe NATO. Pas një takimi me Macron në një konferencë për shtyp, Scholz theksoi shprehimisht se ideja nuk duhet të çojë në braktisjen e perspektivës së BE-së të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pra pengimin e anëtarësimit të tyre në BE.

Për shkak të ndikimit rus dhe kinez në rajon, kancelari federal Scholz javën e kaluar i bëri thirrje Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjes që të anëtarësohen në Bashkimin Evropian – dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Macron dhe Scholz theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidenti francez ka konfirmuar se dëshiron të mbajë një samit për Ballkanin Perëndimor gjatë presidencës së tij të BE-së (deri në fund të qershorit).

Dhe Scholz njoftoi se dëshiron të vazhdojë “Procesin e Berlinit” me synimin për të krijuar një hapësirë ​​të përbashkët ekonomike në rajon – një proces i nisur nga paraardhësja e tij Angela Merkel.

Në përgjigje të kërkesave të Macron për të ndryshuar Traktatin për Bashkimin Evropian, Scholz konfirmoi se Gjermania nuk do të ishte një “frenim”. Sipas tij, funksionimi më efikas i BE-së mund të arrihet edhe në mënyra të tjera. Ai përmendi si shembull heqjen e parimit të konsensusit për vendimmarrjen brenda Unionit.

Një numër vendesh të BE shprehën kundërshtimin ndaj propozimit francez të hënën. Midis këtyre 13 vendeve janë anëtarët skandinavë, Kroacia, Sllovenia dhe Polonia. Miratimi i ndryshimeve në Traktatin e BE-së kërkon mbështetjen e të 27 vendeve, përkatësisht ratifikimin në parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Macron dhe Scholz shprehën gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë mes Gjermanisë dhe Francës në të ardhmen. Në këtë kontekst, Macron përmendi veçanërisht politikën e mbrojtjes, kërkimin dhe zhvillimin, por edhe një qëndrim të përbashkët në raport me Kinën.

Në takimin në Berlin, çështja qendrore ishte Ukraina, pra mënyra se si mund të ndihmohet ai vend, i cili është viktimë e agresionit rus. “Ne duam një armëpushim dhe atë sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Macron.

Në mbrëmje dy shtetarët shkuan edhe te Porta e Brandenburgut, e cila u ndriçua me ngjyrat e flamurit ukrainas në Ditën e Evropës.