Mjekimi më i mirë i obezitetit, peshës së tepërt, është parandalimi i saj që në fëmijëri.

Katër vitet e para të jetës janë vendimtare në formimin e indit dhjamor e të zakoneve të ushqyerjes. Por në këtë fazë të fëmijërisë fatkeqësisht, të gjithë ne prindërit lakmojmë t’i kemi fëmijët sa më të shëndoshë. I ndjekim nga mbrapa për t’i ushqyer me zor, përpëlitemi me të gjitha mënyrat duke i ndenjur me orë të tëra nga mbrapa, në mënyrë që fëmija të ushqehet sa më shumë. E gjithë kjo luftë e përpjekje bëhet që fëmija të ketë ca faqe të kuqe e të jetë sa më “buçko”.

Për t’ia arritur kësaj përpiqemi t’i ushqejmë sa më mirë duke u dhënë sa më shumë sheqerna, ëmbëlsira, çokollata, akullore, sheqerka, lëngje frutash etj. Dhe asnjë nuk përpiqet të kuptojë që padashur, fëmijëve u bëjmë një dëm pothuaj të pandreqshëm e që do t’u kushtojë shumë shtrenjtë gjatë gjithë jetës së tyre, pasi të jenë rritur e në mënyrë të veçantë pas moshës 40 vjeç .

Një fëmijë i ushqyer në këtë mënyrë në të shumtën e rasteve bëhet obez, gjë që mund të shkaktojë shfaqjen e një sërë sëmundjesh, si diabetin, tensionin e lartë të gjakut, yndyrnat e larta etj., të cilat do t’i imponojnë fillimin e një diete shumë të varfër. Por ky individ, i mësuar tërë jetën me ushqime të mira, ëmbëlsira, brumëra, fruta, i mësuar me ushqimet që kanë shumë kalori, e ka shumë të vështirë tani t’i harrojë ato. Pikërisht kjo është arësyeja që mjekimi i obezitetit, ulja në peshë me anë të dietës, dështon në një numër të madh rastesh.

Megjithatë, obeziteti nuk duhet quajtur absolutisht si një sëmundje e pashërueshme, por si diçka krejtësisht e mundshme dhe e sigurtë. Kalimi nga një njeri mbipeshë në një peshë normale nuk arrihet me ilaçe apo me kura speciale, por thjesht me vullnetin dhe bashkëpunimin e personit mbipeshë .

Vullneti dhe bashkëpunimi në këtë rast janë çelësi i vetëm i suksesit. Është e vërtetë që në shumë persona obeze vullneti dhe bashkëpunimi mungojnë, por është po kaq e vërtetë që ato edhe mund të fitohen. Natyrisht, për të rikuperuar këtë dëm që është bërë vite me rradhë nuk mjafton një ditë e vetme apo 1 javë sakrificë. Ata nuk janë kokrra që gëlltiten, nuk jepen me recetë, por arrihen me një punë serioze.

Personat obezë, duhet të sqarohen për disa koncepte të gabuara që shpesh ekzistojnë lidhur me shëndoshjen e tepërt të tyre. Mua personalisht më ka qëlluar të dëgjoj shumë persona mbipeshë që shëndeti i ka ardhur vetvetiu. Shpesh kam dëgjuar të më thonë:” unë dhe ujë po të pi, dhjamë më bëhet”, ose: “ unë mëngjes nuk ha fare, në darkë vetëm kos, bukë një kafshatë dhe përsëri shëndoshem ”, apo “unë ha shumë më pak nga ata të shtëpisë” etj.

Disa njerëz mund të shëndoshen në një kohë mjaft të shkurtër dhe shumë më kollaj se të tjerët. Ky fenomen ndodh pasi metabolizmi i njerëzve ndryshon nga njëri person tek tjetri. Ka njerëz që shëndoshen më shpejt dhe njerëz që shëndoshen më me vështirësi. Ka njerëz që për të shtuar 1 kilogram në peshë u duhet të grumbullojnë rreth 9000 kalori të tepërta, por ka të tjerë që për të shtuar këtë kilogram u mjaftojnë vetëm 3000 kalori të tepërta.

Sidoqoftë, një gjë është mëse e qartë, në të dy rastet shtesa e peshës është bërë gjithmonë nga konsumimi i kalorive të tepërta. Pra, edhe ata njerëz që gjoja e kanë vështirë të shëndoshen, në qoftë se do të tentojnë të tejkalojnë kaloritë që ato marrin në krahasim me ato që organizmi tyre harxhon , natyrisht që do t’i shoqërojë shtimi i peshës trupore.

Duhet thënë që ata njerëz që e kanë shtimin e peshës më të lehtë, në mjaft raste proçesin për të humbur peshën e marrë e kanë më të vështirë. Kështu psh. nëse një kilogram dhjamë është vënë nga konsumimi i 3000 kalorive të tepërta, për ta humbur këtë kilogram ata duhet të krijojnë një defiçit prej 9000 kalorish. Psh. nëse ky individ ha çdo ditë 500 kalori më tepër nga sa ka nevojë, brenda 6 ditësh ai do të shtojë një kilogram. Përkundrazi, për të humbur këtë kilogram, me një dietë prej 500 kalori më pak sesa nevoja ditore, atij do t’i duhen jo 6 por 10 ditë.

Njerëzit sa më të dhjamosur e me peshë të tepërt që të jenë, aq më të madh e kanë oreksin, pra aq më të vështirë e kanë të durojnë të mbajnë dieta apo të mbajnë një rregjim ushqimor. Dhjami bllokon veprimin e insulinës në trup, prandaj pankreasit i duhet të prodhojë sasira më të mëdha insuline që të mposhtë këtë rezistence.

Insulina e tepërt krijon një ndjenjë urie të parezistueshme. Pra ,do të detyrohemi të hamë diçka pa tjetër dhe sa më tepër që të hamë, kuptohet që aq më shumë do të na rritet oreksi. Shpëtimi nga ky “kurth”, është vetëm dieta me sa më pak kalori dhe sa më pak sheqerna. Duket si çudi, por është e vërtetë që pikërisht atëherë kur filloni të hani më pak ushqim, pakësohet dhe ndjenja e urisë, pra ulet oreksi. Kjo është pasojë e uljes së sasisë së insulinës në gjak, pasojë e zbërthimit të dhjamit, i cili, duke u tretur, frenon oreksin.

/shkollaeshendetit.com

https://berati.tv/wp-content/uploads/2023/02/makina-me-qera.png