Nga vlerësimet empirike konfirmohet ekzistenca e një korrelacioni midis pasigurisë së situatës së pandemisë dhe rritjes së depozitave të kursimeve.
Një ndër pasojat kryesore globale të pandemisë vazhdon të jetë pasiguria në ekonomi, e reflektuar nga ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve dhe bizneseve, kryesisht në rritjen e prirjes për të kursyer kundrejt prirjes për të konsumuar apo për të investuar.
Një dukuri e tillë konfirmohet edhe nga statistikat e Bankës Qendrore Europiane, duke krahasuar nivelin e depozitave të vitit 2020 me ato të vitit paraardhës, madje duke e cilësuar këtë prirje për të kursyer “në nivele të paprecedenta, si përgjigje ndaj COVID-19” (European Cental Bank, 2020). Kjo rritje e prirjes për të kursyer lidhet kryesisht me dy faktorë: kursimi i pavullnetshëm dhe kursimet parandaluese (termi origjinal: precautianory savings).
Dukuria e kursimit të pavullnetshëm ka ardhur për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës dhe konsumit si pasojë e masave shtrënguese, apo karantinës, ndërsa kursimet parandaluese janë kursimet që vijnë si pasojë e rritjes së pasigurisë në ekonomi, rritjes së papunësisë, dhe frikës që individët kanë për sigurimin e të ardhurave në të ardhmen apo ruajtjen/rifitimin e vendit të tyre të punës.
Duke qenë se rritja e prirjes për të kursyer është një dukuri që shoqëron përgjithësisht sjelljen e konsumatorëve gjatë krizave, është me interes që të analizohet se si reflektohet kjo dukuri në ekonominë shqiptare, dhe sa ndikim ka pasiguria e situatës së pandemisë në këtë sjellje të konsumatorëve.
Për këtë qëllim, në këtë artikull fillimisht do të paraqitet situata e depozitave të parasë së gjerë dhe depozitave me likuiditet të lartë (pa afat), duke krahasuar vlerat mesatare mujore përkatëse të viteve 2019 dhe 2020. Më pas, duke përdorur numrin e rasteve ditore të pacientëve të konfirmuar me COVID-19, numrin e vdekjeve ditore nga COVID-19, si dhe situatën e masave shtrënguese të vendosura nga qeveria, do të verifikohet edhe nëse ka një lidhje midis variablave që përcaktojnë pasigurinë e situatës së pandemisë me ndryshimin e nivelit të kursimeve.
Situata e depozitave të kursimeve në Shqipëri
Niveli i depozitave të parasë së gjerë për vitin 2020 ka shënuar rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin paraardhës. Në depozitat e parasë së gjerë përfshihen depozitat e transferueshme, depozitat me likuidet të lartë dhe depozita të tjera nga: qeveria lokale dhe administrata publike, korporata jofinanciare publike, korporata të tjera financiare, korporata të tjera jofinanciare dhe sektorë të tjerë rezidentë.
Në Grafikun 1. paraqitet totali i depozitave të parasë së gjerë për vitet 2019 dhe 2020, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Për vitin 2020, të dhënat e përditësuara janë deri në muajin nëntor. Sikurse vërehet edhe nga grafiku, niveli i depozitave të parasë së gjerë ka shënuar rritje krahasimisht me vitin 2019, duke filluar që nga muaji janar, pra përpara se vendi ynë të përballej me pandeminë.
Por, në muajin mars, që korrespondon edhe me pandeminë dhe masat shtrënguese në vend, vërehet një rritje e menjëhershme e depozitave të parasë së gjerë nga 1,041,844 milionë lekë, në 1,071,848 milionë lekë. Rritja e menjëhershme lidhet edhe me forcimin e përkohshëm të euros (depozitat raportohen në lekë).
Më pas, në prill, depozitat e parasë së gjerë bien në norma të ngjashme me ato të muajit shkurt dhe ndjekin një trend rritës, i cili është më i theksuar pas muajve të verës. Sërish, kjo mund të lidhet me rritjen e pasigurisë së situatës së pandemisë, e reflektuar edhe në rritjen e rasteve të reja ditore dhe numrit të vdekjeve në muajt e vjeshtës.
