Një aksident tragjik ka ndodhur këtë të dielë në Kroaci (afër qytetit Slavonski Brod), ku një autobus me targa të Kosovës i cili udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës është pëmbysur. Për pasojë 10 persona kanë humbur jetën, 9 pasagjerë dhe një prej dy shoferëve të autobusit.

Të lënduar janë 48 persona, 8 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë. Siç shkruan media kroate “24sata.hr”  , dyshohet se shkak i humbjes së kontrollit të autobusit e daljes nga rruga, ka qenë lodhja e shoferit.

Shefi i policisë rrugore të stacionit policor Slavonski Brod, Franjo Galiç, u shpreh për median lokale atje se ky ishte aksidenti më i rëndë që kishte parë.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha ai.

Drejtori i Emergjencës Civile Damir Trut, dha po ashtu detaje në lidhje me aksidentin, duke shtuar se në autobus kishte 67 pasagjerë e dy shoferë, njëri prej të cilëve ndërroi jetë.

“Në autobus kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë. Nëntë pasagjerë dhe një nga shoferët kanë humbur jetën. Deri më tani 44 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin e policisë dhe po presin të marrin trajtim mjekësor”, tha ai duke konfirmuar se në autobus kishte edhe fëmijë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re