Dy makina janë përplasur këtë të premte në rrugën Levan- Vlorë, duke shkaktuar vdekjen e 4 personave, përfshi dhe një 9 vjeçare.

Policia ka konfirmuar se 4 personat që kanë ndërruar jetë i përkasin të njëjtës familje, konkretisht: Eduart Gushi, 44 vjeç, Silvana Gushi, 33 vjeçe. Anastasia Gushi, 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe.

Në spital po marrin mjekim tre persona të tjerë, të cilët ndodheshin në automjetin tjetër që u përfshi në aksident. Sipas autoriteteve, të tre të rinjtë janë jashtë rrezikut për jetën.

Familja Gushi po udhëtonte në një automjet ‘Toyota’ me targa greke, në momentin kur është goditur nga një ‘Audi’ që vinte me shpejtësi të lartë e ku ndodheshin tre të rinjtë. Përplasja ka qenë e fortë aqsa makina ku ndodheshin viktimat është shkatërruar plotësisht, ndërsa ‘Audi’ i të rinjve është përplasur më tutje me një shtyllë. Dyshohet se makina ‘Audi’ ka goditur nga pas me shpejtësi ‘Toyota’. Autoritetet ende nuk kanë dhënë një shpjegim të plotë të dinamikës së aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, ju bëjmë me dije se:

Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin “Toyota”, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe.

Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin “Audi”,  I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Vijojnë veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re