Trupi i gruas pëson ndryshime të mëdha fiziologjike gjatë shtatzënisë, që mund të zgjasin më shumë se një vit pas lindjes.
Biologët kanë krijuar një nga fotografitë më të detajuara ndonjëherë të ndryshimeve që ndodhin në trupin e grave para dhe pas shtatzënisë , duke bashkuar dhe studiuar rreth 44 milionë matje fiziologjike nga më shumë se 300,000 lindje.
Studimi gjigant, i cili përdori rezultatet anonime të gjakut, urinës dhe testeve të tjera të marra para, gjatë dhe më shumë se një vit pas shtatzënisë, zbulon shkallën e peshës që sjell në trup mbajtja e një fëmije dhe lindja, nga ndryshimet e panumërta të bëra për të mbështetur një fetus deri tek efektet e largimit të papritur të tij nga trupi gjatë lindjes. Hulumtimi u botua në Science Advances.
Studimi sugjeron se periudha e rikuperimit pas lindjes është shumë më e gjatë se sa njerëzit priren të supozojnë, thotë Jennifer Hall, e cila hulumton shëndetin riprodhues në University College London. Ekziston një pritshmëri shoqërore që ju të ktheheni shpejt në parametrat normalë biologjikë pas lindjes, thotë ajo. “Por ky studim thotë se kjo gjë nuk ndodh.”
Rezultatet sugjerojnë gjithashtu se mund të jetë e mundur të identifikohen gratë në rrezik të disa komplikimeve të zakonshme të shtatzënisë – duke përfshirë gjendjen e presionit të gjakut, pre-eklampsinë dhe diabetin gestacional – përpara konceptimit. Aktualisht, këto kushte diagnostikohen gjatë shtatzënisë.
Të dhënat
Studiuesit përdorën të dhëna anonime nga të dhënat mjekësore të ofruara nga ofruesi më i madh i kujdesit shëndetësor në Izrael gjatë periudhës nga 2003 deri në vitin 2020. Për të krijuar një pamje të një shtatzënie tipike, ata përdorën rezultatet e testeve vetëm nga gratë e moshës 20-35 vjeç që nuk merrnin ilaçe ose kishin sëmundje kronike.
Ekipi mblodhi rezultate nga 76 teste të zakonshme – duke përfshirë masat e kolesterolit, qelizave imune, qelizave të kuqe të gjakut, inflamacionit, shëndetit të mëlçisë, veshkave dhe metabolizmit, të marra deri në 4.5 muaj para konceptimit dhe deri në 18.5 muaj pas lindjes. Kjo i lejoi ata të vendosnin vlera mesatare për çdo test për çdo javë në atë periudhë.
“Më ndaloi fryma kur pashë se çdo test ka këtë profil dinamik që është kaq i përpunuar, javë pas jave dhe nuk është parë kurrë më parë,” thotë Uri Alon, një biolog në Institutin Weizmann për Shkencën në Rehovot, Izrael, i cili drejtoi studimin.
Studiuesit zbuluan se, në muajin e parë pas lindjes, 47% e 76 treguesve u stabilizuan afër vlerave të tyre para konceptimit. Por 41% e treguesve iu deshën më shumë se 10 javë për t’u stabilizuar. Këto përfshinin disa masa të funksionit të mëlçisë dhe kolesterolit, që u deshën rreth gjashtë muaj për t’u rregulluar, dhe një tregues i shëndetit të kockave dhe mëlçisë, i cili zgjati një vit.
Ndërkohë që disa inflamacione apo shëndeti i gjakut nuk janë kthyer në vlera normale as pas 80 javësh, që ka qenë kohëzgjatja e gjithë vëzhgimit mjekësor.
Një tjetër e dhënë interesante është se disa ndryshime në trupin e femrës dallohen që para ngjizjes, në momentin që dëshironin të kishin fëmijë.
Ka rritje të dukshme të acidit folik dhe si pasojë ulje të inflamacioneve, ndërsa luhatje të tjera jo pozitive para shtatzanisë, janë sinjale për komplikacione të mundshme gjatë shtatzanisë.
Këto të fundit shpjegojnë ekspertët, do të shërbejnë mjaft për shkencën për të dalluar tiparet shqetësuese dhe risqet për një shtatzani të ardhshme, dhe si mund të parandalohen ato./www.nature.com