Një i burgosur në Alabama dhe një gardianeje, janë në kërkim nga policia që nga java e kaluar.

Një deklaratë nga Zyra e Sherifit të Alabamas tha se të burgosur të tjerë kishin folur për natyrën e marrëdhënies midis të burgosurit Casey White dhe gardianes Vicky White. Ai dyshohet për vrasje dhe nëse dënohet, e pret dënimi me vdekje. Ai u vendos në Qendrën e Paraburgimit të Qarkut Lauderdale në pritje të gjykimit.

White dhe roja u zhdukën kur ajo po e shoqëronte atë në gjykatë për një vlerësim të shëndetit të tij mendor. Por ajo në fakt nuk e çoi atje, pasi as nuk ishte caktuar një takim.

Policia nuk bëri të ditur nëse i burgosuri dhe gardiania ishin në një lidhje romantike.

Ata u zhdukën të premten, kur supozohej të ishte dita e saj e fundit në punë. Ajo së fundmi ka shitur shtëpinë e saj dhe u ka thënë kolegëve se ka në plan të kalojë më shumë kohë në plazh. Policia tani beson se gardiania ndihmoi në organizimin e arratisjes pasi shkeli protokollin e burgut për ta çuar vetë të burgosurin në gjykatë.

“Hetuesit morën informacion nga të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit të Qarkut Lauderdale se ekziston një marrëdhënie e veçantë midis gardianes Vicky White dhe të burgosurit Casey White. Ky informacion na u konfirmua nga burime të pavarura,” tha Sherifi Rick Singleton.

Autoritetet amerikane thonë se dyshja e arratisur është parë për herë të fundit të premten. Ata po drejtonin një Ford Edge me targë Alabama. Autoritetet thonë se Casey White duhet të konsiderohet i armatosur dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm pasi ai tani mund të ketë akses në një pushkë AR-15 dhe një armë gjahu.

“Ai nuk ka asgjë për të humbur,” tha sherifi.

Gardiania White aktualisht po përdor para në dorë dhe ka fikur celularin e saj, tha sherifi, duke shtuar se Shërbimi Sekret i SHBA po ndihmon për të gjurmuar të dhënat e saj financiare. Chris Connolly, një prokuror qarku në Lauderdale, u tha gazetarëve se kishte besim të madh tek e arratisura Vicky White.

“Ajo ishte punonjësja më e mirë, njeriu ynë më i mirë. Kjo është arsyeja pse kjo është e gjitha tronditëse,” komentoi ai.

Në shtator 2020, Casey White u akuzua për vrasje me thikë të 58-vjeçares Connie Ridgeway.

Ai ishte tashmë në burg për një sërë krimesh të dhunshme në vitin 2015, duke përfshirë vjedhje, vjedhje automjetesh dhe ndjekje nga policia. Ai dyshohet se e pranoi vrasjen, por më vonë u deklarua i pafajshëm dhe tha se e bëri këtë për shkak të gjendjes së tij mendore.