Në përpjekje për të bindur shqiptarët, se vendimet për situatën e Covid në vendin tonë i marrin ekspertët, zyra e Edi Ramës në kryeministri po bën të pamundurën për të evidentuar vlerat e tyre.

Me një video të ngjashme me propagandën e kohës së xhaxhit, qeveria shqiptare u ka bërë jetëshkrimin të gjithë anëtarëve të Komitetit Teknik, ndërsa akuzon Lulzim Bashën se po njollos punën e tyre, vetëm se ky i fundit ka kërkuar që ata të flasin për mungesën e testimeve apo për situatën në spitale.

Në videon e shpërndarë nga Rama, për të cilën sigurisht që ka punuar ushtria e punonjësve të tij në ERTV, janë nxjerrë shkollimet dhe jetëshkrimet e Mira Rakacollit, Najda Çomos apo Skënder Bratajt, për të cilin thuhet se rrezikoi dhe jetën e tij, kur u prek me Covid në krye të detyrës.

Për ta bërë më bindëse panoramën, dhe lodhjen që ndjejnë këta ekspertë, zyra e shtypit të Ramës, ka mbuluar dhe të gjithë kronikën me kolonë muzikore, por edhe me lotët e Najada Çomos për të bijën.

Ajo që ka refuzuar qeveria të përgjigjet në gjithë këto ditët e fundit, është fakti se në të gjitha qytetet në vend ka mungesë tamponesh, ndërsa në rastin kur ato iu merren qytetarëve, përgjigja vijohet më shumë se një javë, një rast ky i paprecedentë në vende të tjera të botës.

Po ashtu një tjetër pikë për të cilën qeveria nuk jep llogari, është dhe ajo e gjendjes së spitaleve, ku vetëm nga Sanatoriumi, i kanë dhënë fund jetës tre persona, e ku familjarët hedhin akuza se mungojnë psikologët.

Videoja e ERTV-së:

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re