NIKOLETA KOVAÇI/ Policia e Shtetit është vënë në alarm gjatë ditës së djeshme nga një fushatë mashtrimi në emër të njërit prej funksionarëve më të lartë të kësaj policie.

Në postat elektronike të njerëzve të thjeshtë por edhe të biznesmenëve po shkon një e-mail ku bashkëngjitet një vendim gjykate që detyron marrësin të dorëzojë shuma të ndryshme parash.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga “Panorama”, menjëherë pas thirrjes së Policisë së Shtetit për kujdes dhe denoncim, mësohet se kjo fushatë mashtrimi ka nisur një javë më parë edhe në Itali.

Sinjalet janë shpërndarë menjëherë mes policive për të rritur vigjilencën, ndërkohë që në vendin tonë gjithçka është mësuar vetëm përgjatë së djeshme. Sipas të dhënave zyrtare që vijnë nga policia e shtetit bëhet me dije se brenda më pak se dy orëve janë grumbulluar më shumë se 20 denoncime, ndërkohë që nuk është mundur të mësohet asgjë nga dërguesi ose dërguesit e këtij email-i!

Thirrja e Policisë shkon për të gjithë personat që iu shkon ky e-mail, të bëjnë kujdes dhe të kryejnë denoncimin, ndërkohë që përveç emrit të numrit dy të policisë së Shtetit, Neritan Nallbatit, mësohet se janë edhe një sërë personash të tjerë të përdorur nga dërguesit e atij vendimi gjykate që me sa duket ka për qëllim zhvatjen e njerëzve. policia e Shtetit bëri me dije mbrëmë se ende nuk është mundësuar gjetja e asnjë të dhënë që të çojë tek personat dërgues dhe as tek vendi nga ku dërgohen, megjithatë u tha se po punohet intensivisht për të mundësuar diçka të tillë.

POLICIA

Një fushatë mashtrimi po ndodh në rrjet së fundmi ku në adresat elektronike të qytetarëve dhe bizneseve po mbërrijnë email-e me emrin e Neritan Nallbatit, kreut të policisë kriminale dhe drejtuesve të tjerë. Nëpërmjet një deklarate zyrtare të shpërndarë së fundmi, policia ka bërë thirrje që qytetarët dhe bizneset të mos bien pre e këtyre mashtrimeve kompjuterike. Në njoftim theksohet se persona të paidentifikuar po dërgojnë email-e kundrejt qytetarëve duke u shtirur si drejtues policie. Pjesë e email-it është edhe një dokument i emërtuar ‘mandat i gjykatës’. Synohet që me anë të këtyre email-eve t’u merren para qytetarëve dhe bizneseve. Policia ka bërë thirrje që të gjithë personat të cilët kanë pasur një e-mail të tillë në postën e tyre elektronike të denoncojnë rastin duke shkruar në email-in zyrtar të Policisë për Krimet Kibernetike: [email protected].

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike është vënë në dijeni për një fushatë mashtrimi nëpërmjet sistemeve kompjuterike, e cila synon persona fizikë dhe juridikë, pa dallime të caktuara, me qëllim marrjen e shumave të ndryshme monetare. Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike njofton të gjithë qytetarët, se ka nisur puna policore e menjëhershme, për parandalimin e pasojave, për hetimin e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Për t’i shkuar në ndihmë çdo shtetasi që mund të preket nga kjo fushatë mashtrimi, bashkëlidhur këtij njoftimi do të gjeni formatin në të cilin dërgohet mesazhi i postës elektronike, si dhe dokumentin e rremë që i bashkëngjitet këtij mesazhi. Policia e Shtetit fton qytetarët që janë prekur nga këto mesazhe të cilat iu kanë shkuar në emër të titullarëve të Policisë së Shtetit, kjo për të rritur besueshmërinë e këtyre mesazheve, të denoncojnë menjëherë në adresën e postës elektronike [email protected], të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, e cila është duke kryer hetime intensive dhe në ditët në vijim do të japë më shumë informacion rreth kësaj fushate mashtrimi”, thuhet në njoftimin e plotë të policisë. Në fakt, mashtrimet janë rritur së tepërmi kohëve të fundit ku edhe grupe kriminale kanë nisur të zhvatin biznesmenë në emër të qeveritarëve dhe kryebashkiakëve të vendit. Janë disa persona nën akuza dhe në pranga pikërisht për mashtrime dhe gjoba të tilla.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re