Zenel Velsula, një nga personat e parë që shkoi në vendin ku u masakrua me thikë Selim Velsula, ka treguar se pranë trupit të viktimës ndodhej edhe një dru, me të cilin ai dyshon se u godit 56-vjeçari.
Bashkëfshatari ka rrëfyer se rreth 6 metra larg trupit të viktimës është gjetur telefoni i tij.
Ai theksoi se i vëllai i Selim Velsulës kishte qenë rreth 500 metra larg vendit të krimit, por nuk kishte dëgjuar zhurma dhe as s’e kishte parë trupin e pajetë të 56-vjeçarit, i cili u vra mbrëmjen e djeshme (11 Maj) në fshatin Xibër-Murrizë të bashkisë Klos.
Bashkëfshatari tregoi se ishte faturues uji që kaloi rastësisht në zonë, i cili zbuloi viktimën të mbuluar me gjak në rrugë, ndërsa theksoi se mes viktimës dhe autorit të dyshuar, 32-vjeçarit Hazbi Velsula nuk ka pasur konflikte.
“Telefoni është gjetur më lart, viktima ishte këtu i shtrirë. Ishte i vrarë, i gjakosur. Në kokë se kam parë. Kishte një dru ndërmjet këmbëve, këtu ka qenë i shtrirë. Ka qenë duke ruajtur lopën dhe kalin. Telefoni u gjet pak më sipër. Viktima s’ka pasur konflikt, as me autorin. Nuk kanë pasur konflikte për toka, autorin se kam parë në fshat.
Faturuesi i ujit, se po hapja kanalin e ujit unë dhe një tjetër, kishte ardhur këtu, ishte afruar dhe kishe parë trupin. Më mori në telefon më tha ‘ka ndodhur një ngjarje hajde shpejt’, jemi komshinj. Më tha “S’po e njoh a është Selimi apo Elmazi’, se i vëllai ka qenë më poshtë me bagëtitë.
Erdhëm këtu dhe lajmëruam policinë. Kur erdha ishte këtu vëllai i vet e pyeta “A dëgjove zhurmë a diçka?”. Më tha që s’kishte dëgjuar gjë.
I thashë “Si s’ke parë vëllain e varë në rrugë”, tha “Ku është?”. S’kishte parë gjë”, tregoi bashkëfshatari.