Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka shkuar sërish sot në derën e SPAK, ku ka dorëzuar një padi ndaj disa drejtuesve të lartë të shtetit dhe qeverisë, pas vendimit të pak ditëve më parë, për ti kthyer pronësinë e Teatrit Kombëtar sërish Bashkisë së Tiranës, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

AMT ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama, zëvendëskryeminstrin Erion Braçe, ministrat Anila Denaj dhe Elva Margariti, si dhe drejtorin e Kadastrës Artan Lame, ndërsa kanë denoncuar dhe vetë kreun e Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja si të njëanshëm.

Përfaqësuesja e Aleancës Adriana Kalaja, tha se prej kohësh ata kanë kërkuar një takim me Krajën, gjë e cila nuk iu është mundësuar, madje sipas saj sjellja që kanë marrë në shkëmbim nga SPAK ka qenë arrogante dhe tendencioze.

Kalaja tha se brenda kësaj jave, në rast se do të funksiononte në mënyrë të paanshme, SPAK duhet të vendoste sekuestron mbi Teatrin Kombëtar, në mënyrë që të frenohet ngrijtja e kullave në truallin që vetë Gjykata Kushtetuese ia ktheu Ministrisë së Kulturës.

Qeveria shqiptare në një vendim që mban firmën e Erion Braçes vendosi që ti kalojë sërish pronësinë e Teatrit Bashkisë së Tiranës, ndërsa Erion Veliaj nga Tokio tha për mediat, se godina e re do të mbështetet në projektin e arkitektit Ingels.

“Jemi në momentin që pronat, sipas vendimit, duhet kthyer në gjendjen e datës 7 maj. Ne kemi argumentuar para SPAK se jo vetëm që ka shkelje të rënda të Kushtetutës, siç janë ato të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv të zyrtarëve të larta, ajo e pengimit të zbatimit të një vendimi gjykate. Është e vërtetuar kallëzimi ynë i bërë me kohë, që në maj të 2020 që disponimi i truallit të teatrit përbën vepër penale.

Ne kemi kërkuar sekuestron për truallin. VKM e re bazohet në transferimin e truallit. Akuzat tona në lidhje që ka, që nga ligji special dhe VKM që u cilësuan si anti-kushtetues. Po të shohim VKM e re, nuk ka të artikuluar fjalën Teatri Kombëtar, është sjellje tendecioze, jo vetëm anti-kombëtare, sepse duan të fshijnë historinë. Kjo VKM i hap rrugë, qartazi ndërtimit të kullave në teatër. E konsiderojmë emergjencë, pas 8 kërkesave për vendosjen e sekuestros.

Drejtuesi i SPAK duhet të vihen në lëvizje dhe të zbatojnë ligjin për marrjen e sekuestrove. Ne nuk tërhiqemi, nëse nuk merren masa brenda javës do të vijojmë me hapa të agravuara, duke iu drejtuar edhe ndërkombëtarëve. E gjithë trupa gjyqësore e kupton qartë se sa legjitim ishte kërkesa jonë, për t’u marrë masa e pezullimit. Kështu që presim që SPAK-u të marrë hapat e duhur dhe hapi emergjent duhet të jetë sekuestro e truallit. Konstatojmë me keqardhje, që nuk ka asnjë reagim nga SPAK në lidhje me një takim që kemi kërkuar, për të marrë një informacion të detajuar se ku ndodhet procedura për hetimin e dosjes së Teatrit.

Nuk kemi përgjigje, shohim indiferencë te SPAK-u. Ne shohim si një rreshtim të dukshëm të SPAK në krah të këtyre zyrtarëve që kanë shkelur ligjin. Me të gjitha mënyrat do të vendosim drejtësinë për Teatrin Kombëtar. Ato do të ndërtohen sërish, sepse kjo është kërkesa. Presim, sepse fakti që vijmë dhe trokasim në këto dyer, tregon që kemi besim që çëshjta do të zgjidhet. Reforma në drejtësi po dështon, duke qenë se Gjykata Kushtetuese s’ka fuqi ndaj një vendimi të dhënë”, tha Kalaja.

Ndërkohë që aktori i njohur Mehdi Malkaj, bëri thirrje edhe për shqiptarët, të cilëve iu kërkoi që të reagojnë ndaj padrejtësive që bëhen.

“Si s’të lodhi robëria, si s’të lodhi Edi Rama o shqiptar, çohuni more çohuni”, ishte apeli i Malkajt, i pasuar dhe nga artistët e tjerë, të cilët thanë se kauzën do ta çojnë deri në fund. Kërkesa e tyre është një dhe e vetme, Teatri Kombëtar të ndërtohet aty ku ishte dhe siç ishte.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re