NGA AGRON GJEKMARKAJ

Një sërë shqetësimesh ranë si shi mbi Kostën e Gramozit dhe Linditës në dhe të huaj në Kanada shumë larg vatanit.

U skuq dhe sytë i nxirrnin xixa në Parlamentin dhe Senatin e Otaves se askund nuk pa siç hije do ju kishte atyre institucioneve portretin e Babos teksa lloj-lloj spitullaqësh dukej sikur i nxirrnin gjuhën me vështrimet e tyre të murosura. Si dash i tërbuar vërtitej sa lart poshtë.

Skërmiste dhëmbët e për pak desh zbriti nga makina e na iku tek Kryeministri Trudo që ta bënte  rezil, por pas shumë lutjesh u bind se i ziu sapo ishte ndarë nga gruaja dhe një sërë hallesh e kishin zënë me komisionet hetimore se ata i japin nuk i mbajnë.

Vende, vende maste token me sy dhe pëshpëriste “cope e mirë, copë e mirë për një monument” dhe e qeshura si diell e pushtonte të tërin.

E fali Trudonë e gjorë dhe kësaj here po nuk këndon qyqja për të nëse nuk korrigjohet kur mot Kostaqi andej t’ja behë enkas për të ndjekur fatin e qortimeve.

Mes punërash që i zënë frymën për mbarëvajtjen e delegacionit një tjetër zezonë kishte ndodhur teksa ne indiferentet flinim.  Ishte zgjuar natën si lugat kur në Tiranë i binte ora 10.

Opozita në Kuvend kishte bërë hatanë duke bllokuar karriget e penguar punimet. Si luan Gaz Bardhi, si dragua Sajme Korreshi edhe pse i plagosur zunë pritë dhe nuk e lanë padrejtësinë të kalojë. Bledion Nallbati si tigër hungronte. Kryezëvendës Lideri piskamën lëshonte për mësymje.

Ata njezëri thanë se si Oso Kuka në Vraninë do të ngujohen derisa demokracia të kullosë përsëri asaj ograje dhe qederi të marrë të keqen.

Ermua qerratesha që me aq qejf e pret drejtimin e seancës mbet me gisht në gojë, gati u alivanos marazi. Pastaj së bashku me Bushken me dorën që presin sallam e me gjuhen që grijnë sallatë kishin  gatitur 23 mandata për dënim deputetësh. Be të madhe kishin bërë të uruarat. O bëjmë opozitën terbiet o biem fli. Të gjere e kanë shpirtin sa arsyen.

Sa gjynah Ermua kishte veshur kostumin e bukur kaf me kuadrate dhe golfin e verdhe, bash për të lumen ditë.

Vetë Tao  patroni i Lulit doli në oborr dhe u zu me Gazin, gojehidhurin që i prishi gjakun.

Kosta kishte marrë një ngjyrë gri, lëkura i ishte bërë plloça plloça, sytë e përskuqur i nxirrnin tym, nga goja një taft shkrumi dilte si llave inceneratori.

Ndonëse ishte fshehur pas një pirgu me ushqime  si ushtari japonez në istikam ,në restorantin e Hotelit  i ngulte dhembet një salsiçeje si të ishte dora e Albana Vokshit që shkon pranë karriges së Kryetares. Ashtu të murrëtyer dhe më katolik se Lindita e gjeta tek i nxirrte fundin një tasi me kos piklosur me ndoca mjaltë kundër zeherit. Nuk donte të fliste ndaj hante si dreq. Shihja me frike mos këpuste gishtat. Dukej  fërgëllues  nga mërzitë e një pasnjëshmë dhe tek e ngrëna gjente një hapësire shfryrjeje.

Prita sa prita ju drejtova “more i uruar a të bisedojmë si dy levender të mendimit?”. Ashtu zemrueshëm tha “prishur mos qofte” dhe filluam. ! Mos bëfshin hajer mos bëfshin gjithë ata që na prishin gjakun foli. E drejtë e drejtë ja ktheva, po si opozitar më shumë dilema që jam si duhet te sillemi bashkë me shokët e mi?

Po ja tha vendosni disa parime bazike !

E para vjen Babo në Kuvend mos rrini hunde e buzë se ai ngëne e ka të paket dhe i prishet qejfi. Buzëqeshni sapo Çyrbja t’ju bëjë shenjë. Jorida ti bëjë një kafe në shenje paqeje. Kur ai të flase asnjë të keqe s’ka të duartrokisni dhe duart flakë ti bëni. Në këmbë të ngrihemi? Për mirë do të merrej. Kur flet Bela duratrokisni lehtë  , ulur, që të ketë diference. Nese Bora qesh qeshni dhe ju. Atëherë kur duket sikur Niko ka mendim rrini dhe ju të menduar. Po kur flet Ulsiu? Përcilleni me dashamirësi, aq di aq thote. .

Elisa? Merrni shënime!

Llafin e Tezes mos e kontestoni se duhet respekt per kohen.

Po ndaj pleudarisë së Antonetes dhe Etjenit si të sillemi? Lëshoni zukama habiet. Po kur flake i jep Blerina retorikes? Ngrohuni nga zjarri. Eni Zake vendos të diskutojë? Ëndërroni. Po kur Margeriti na sheh me  indiference të perhumbur. Gëzohuni per driten që moret. Po kur Xhemali citon filozofet e medhenj ? Ju citoni Xhemalin.  Po kur Dilua mbron qeverine ? Ju pergezoni Dilon. Po kur Bujari i Lushnjës ja merr këngës? Po këndoni se nga kënga s’ka te keq njeri!

Me patos e vërtit Ogerta? Ajo thote mendimet e veta ju tundni kokën tuaj.  Me lutjet e Tonit ? Një amen mjafton.

Atëherë kur Mimi di Puccini rrëfen te shkuarën me piano dhe njoki ? Ju i thoni u befte vullneti yt si në qiell ashtu në tokë, rrefimin e petditshem falna sot.

Ndonjehere Majko kollitet ….? Ju njezeri shendet brohorisni. Po kur Etilda te vijë e heshtur e melankolike? Po ja Xhelal Mziu ti kendojë një këngë zamani me çifteli. Me habiti po nuk e fsheha admirimin për këto pika traktati që sjellin paqe e vellazeri  mes pushtetit e opozites.

Kur mendova se mbaruam ai më bëri një pyetje po të madh e kishte dyshimin në mos nuk i thoja të vërteten. Si është puna që Luli do t’ju heqë nga rreshti ty dhe Gazin? Po ja more lezeti i Tabil Sarrajt i thashë, “kur ai fliste me patos  atë ditën e sy kateve , une nga vendi ja bëja yp xhixhi, yp xhixhi e mbyte” pastaj kur desh te ulej në karrige i kërkova pese mijë lek të vjetra  që ta lija të kalonte. Luli si Luli desh pazar jo janë shumë jo janë pak tha 3 mijë te vjetra dhe të gjitha në fund të vitit. Po ku i kihet bese atij për punë lekësh dhe u zumë. Po Gazi? Ç’te them! U ndjeva ligesht gjithë kohes i therriste  “o zullap o zullap , do të bëje të flasësh me vete me ato që di”.

I ngrati nuk paska faj tha Kosta i rihumanizuar. Pastaj la keshillen e fundit.

Kur të kalojë Doktori shfryni të gjithë njëzëri-mallkuar qofsh. Po pasi ti bëjmë keto? Atëherë  jeni opozita që duam, properendimore dhe ai qerratai Arber Agalliu nuk ju jep me këshilla qysh te vejë mbroth atdheu. Te faltë Zoti more bekim i thashë ku i gjete gjithë  keto?! Dialogjet me Kosten me ndihmun të rilexoj politiken jetën dhe boten.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re