Këtë radhë bëhet fjalë për avionët luftarakë F-16.

 

Ukraina për një kohë të gjatë ka kërkuar që t’i ofrohen avionë të sofistikuar, teksa Rusia po vazhdon pushtimin e këtij shteti, pushtim që tashmë është në vitin e dytë. Dhe ky plan i ri hap derën që disa shtete të furnizojnë Ukrainën me avionët e gjeneratës së katërt dhe për SHBA-në që të ofrojë ndihmë për të trajnuar pilotët. Presidenti amerikan, Joe Biden, ua ka paraqitur këtë marrëveshje udhëheqësve botërorë gjatë samitit në Hiroshima të Japonisë.

 

Deri më tani, SHBA-ja nuk ka ofruar detaje dhe tha se vendime se kur, kush dhe sa avionë F-16 do t’i jepen Ukrainës, do të bëhen publike në muajt në vazhdim, ndërkaq trajnimet pritet të nisin së shpejti.

 

Detajet lidhur me trajnimet po ashtu janë të pakta. Zyrtarët amerikanë, që kanë folur në kushte anonimiteti, thanë se detajet e këtij plani ende nuk mund të bëhen publike.

 

Megjithatë, me këtë vendim, administrata Biden ka bërë një kthesë të madhe, pasi paraprakisht për më shumë se një vit kishte refuzuar që të miratonte çdo dërgesë të avionëve apo të ofronte trajnime, për shkak të shqetësimeve se diçka e tillë do të mund të përshkallëzonte tensionet me Rusinë. Zyrtarët amerikanë po ashtu kanë argumentuar kundër dërgimit të avionëve F-16, duke thënë se trajnimi i pilotëve se si të operojnë me këto fluturake të avancuara, por edhe mbështetja logjistike, do të ishin një proces i vështirë që do të merrte disa muaj kohë.

 

Më poshtë mund të mësoni më shumë për këta avionë dhe pse SHBA-ja fillimisht kishte nguruar që t’i dërgonte, por edhe çfarë dihet dhe çfarë jo për vendimin e ri.

Pse Ukraina dëshiron avionë luftarakë F-16?

 

Ukraina ka bërë presion që të marrë avionë perëndimorë që në fazën e parë të luftës, duke insistuar se avionët e sofistikuar do t’i jepnin avantazh në luftë dhe do t’i mundësonin që të godiste forcat ruse.

 

Pothuajse një vit më parë, dy pilotë fluturakë ukrainas, që kërkuan të identifikoheshin vetëm me nofkat e luftës “Moonfish” dhe “Juice”, u takuan me gazetarët në Uashington për t’i bindur se pse ishte e rëndësishme për Ukrainën që të merrte avionë F-16 – të prodhimit amerikanë -, duke theksuar se këta lloj avionësh kanë radarë të avancuar, sensorë dhe aftësi më të mëdha raketore.

 

Në shkurt, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, mbajti në duar fotografinë e një avioni kur ai u pyet në Bruksel se çfarë ndihme ushtarake ka nevojë shteti i tij. Më herët gjatë këtij muaji, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë një vizite që zhvilloi në Gjermani, u bëri thirrje aleatëve që të formojnë një “koalicion për avionët luftarakë”, që do t’i mundësonte Ukrainës të kishte avionë luftues, të domosdoshme, sipas tij, për t’iu kundërvënë dominimit që Rusia ka në qiell.

Liderët ukrainas kanë argumentuar se avionët F-16 janë shumë më superiorë sesa flota e avionëve, të periudhës sovjetike, që Ukraina ka aktualisht në përdorim. Në përgjigje të këtyre kërkesave, SHBA-ja ka gjetur mënyra të tjera për të ndihmuar Ukrainën, duke i dhuruar aftësi të tjera të avancuara ushtarake, por jo avionë.

 

Për shembull, inxhinierët në forcat ajrore amerikane kanë gjetur mënyra për të modifikuar raketën tokë-ajër HARM, në mënyrë që kjo lloj arme të mund të bartet dhe të lëshohet nga avionët MiG që përdor Ukraina. Kjo raketë dhe sistemi i shënjestrës që ka, mundëson që avionët të identifikojnë radarët tokësorë të armiqve dhe t’i shkatërrojnë ata.

 

Pse ka nguruar SHBA-ja?

 

Për muaj të tërë, sa herë që janë pyetur publikisht zyrtarët amerikanë – duke filluar nga Biden dhe zyrtarët e tjerë më të ulët – vazhdimisht kishin refuzuar dërgimin e avionëve F-16 në Ukrainë. Po ashtu, SHBA-ja kishte refuzuar që të lejonte shtetet e tjera të eksportojnë avionët e tyre Falcons në Ukrainë.

 

Javën e kaluar, Zelensky sërish përsëriti dëshirën e tij për posedimin e avionëve F-16 dhe modeleve të tjera. Po ashtu, në fillim të javës së kaluar, edhe zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, u pyet nëse SHBA-ja kishte ndryshuar qëndrim sa i përket avionëve F-16, por ai u përgjigj “jo”.

 

Në muajt e fundit, Biden ishte pyetur disa herë për këtë çështje dhe ai po ashtu kishte refuzuar që të autorizonte dërgimin e avionëve F-16. Më herët gjatë këtij viti, kur u pyet pse refuzon dërgimin e tyre, Biden u përgjigj: “Sepse ne duhet t’i mbajmë këta avionë këtu”.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re