Biznesi i ‘krijimit’ të foshnjave po lulëzon, me në popullatë. Por sa u rëndon familjeve kjo procedurë dhe cilat janë problematikat shoqëruese të sektorit?

Thua fjalën “treg” dhe çfarë të vjen në mendje? Tregjet financiare, tregje në pasuri të paluajtshme, tregje për makina, tregje të produkteve ushqimore. Por një treg në fertilitetin njerëzor: in vitro, nënat surrogate, vezë të ngrira?

Bebet ose mjetet për t’i bërë ato, nuk supozohet të shiten. Ata nuk supozohet të blihen. Ata nuk supozohet të kenë çmime të fiksuara mbi to. Por ka një treg për foshnjat, një treg që shtrihet në të gjithë globin dhe përfshin qindra mijë njerëz.

Ajo që ka krijuar këtë treg është kërkesa e lartë dhe e vazhdueshme nga njerëzit të cilëve u është mohuar bekimi i riprodhimit natyral, bashkuar me një ofertë të gjerë dhe në rritje të vazhdueshme të mënyrave për të lindur foshnja, kur forma natyrale rezulton e pamjaftueshme.

Ky “treg” përfshin biznese të tilla si klinikat fitimprurëse të fertilitetit dhe spitalet private, që ofrojnë shërbime të tilla, shpesh me shuma të majme.

Norma e fertilitetit në Shqipëri ka hyrë në një trend në rënie që prej 2013-s. Në vitin 2017, norma mesatare e fertilitetit ishte 1.48, nga 1.54 që ishte një vit më parë.

“Është rritur shumë mosha e shtatzënisë së parë, femrat kanë prioritet të arsimohen dhe të gjejnë një punë të mirë e më pas mendojnë për shtatzëni”, tha Dr. Irena Berati, mjeke gjinekologe në Qendrën Shëndetësore nr.9

Por një tjetër faktor shumë i rëndësishëm që pengon shtatzënitë te çiftet janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme, të cilat, sipas saj, kanë shënuar rritje, kryesisht te moshat e reja. Edhe obeziteti në rritje është një tjetër pengesë, thotë më tej doktoresha.

Infertilteti haset më shpesh te femrat se sa te meshkujt në Shqipëri. Te meshkujt, konsumi i lëndëve narkotike dhe stresi ndikojnë në dobësimin e spermatogenit, çka i bën ata të arrijnë me vështirësi ngjizjen apo t’i kthejë në infertil.

Situata në vend

Spitalet private, prej më shumë se 15 vitesh, ofrojnë shërbim mjekësor dhe multidisiplinor për trajtimin e infertilitetit, duke filluar që nga mjekimet e thjeshta, e deri te mjekimet më të fundit, si dhe kryejnë procedurën e Fertilizimit in Vitro.

Fertilizimi in vitro është një nga teknikat më të përdoruara në rastet kur në mënyrë natyrale është e pamundur shtatzënia.

Diagnoza dhe trajtimi i infertilitetit është i gjatë, i kushtueshëm dhe arritja e rezultateve kërkon kohë dhe shpesh procedura përsëritet deri në disa herë. Kërkesa për shërbime që trajtojnë infertilitetin është në rritje, për shkak të rritjes së incidencës së infertilitetit primar dhe sekondar në popullatë.

Vihet re rritje e prevalencës së infertilitetit primar dhe sekondar, jo vetëm në vendin tonë, por dhe në nivel global. Kjo prevalencë vjen në rritje dhe mendohet se do të vazhdojë të ketë një trend të tillë rritjeje për shkak të shtimit të faktorëve që veprojnë mbi të.

Infertiliteti është i lidhur edhe me faktorë të stilit të jetesës, si pesha trupore, duhanpirja dhe stresi. Përparësitë e mëdha në trajtimin e infertilitetit, duke përdorur teknologjitë e riprodhimit të asistuar (ART), kanë bërë të mundur që shumë individë/çifte të kenë fëmijë me asistencë mjekësore, pavarësisht origjinës së problemit.

Për një cikël të plotë fekondimi in vitro (IVF) në Shqipëri, ashtu si në të gjithë Europën, duhen mesatarisht 4.000 euro.

Megjithatë, nga burimet spitalore mësuam se çmimet ndahen në dy pjesë, një pjesë u takon analizave paraprake dhe ilaçeve, që fillojnë nga 1000 euro deri në 2500 euro dhe pjesa e dytë i takon fekondimit in vitro, që varion nga 2400 euro e lart, sipas specifikave të secilit çift.

Pra, në tërësi një seancë e fekondimit artificial kushton rreth 5000 euro. Në rast se përsëritet, seanca e dytë kushton sërish 2400 euro, pa përfshirë setin tjetër të ilaçeve.

Shanset që një IVF të rezultojë e suksesshme llogariten 65%. Ajo çka duhet llogaritur është fakti që individëve/çifteve mund t’u duhet më shumë se një cikël IVF për të pasur sukses, pra, kostoja është edhe më e lartë se ajo e një cikli.

A ekziston në vendin tonë mundësia që të kryhet kjo procedurë pa kosto. Jo!

Vendet europiane si Austria, Belgjika, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Greqia, Gjermania, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia, etj., ofrojnë mbulim pjesor ose total të Fertilizimit in Vitro.

Në Shqipëri, aktualisht kryhen çdo vit rreth 1000 cikle fekondimi in vitro (shifra jozyrtare) nga 3000 që duhet të bëhen në bazë të të gjithë llogaritjeve të bëra nga Shoqata Europiane e Embriologjisë dhe Riprodhimit Human (ESHRE).

Kjo do të thotë që 2000 ciklet e munguara çdo vit nuk kanë mundësi ta marrin trajtimin. Dhe 2000 cikle fekondimi in vitro nënkupton 4000 partnerë që kanë një barrë ekonomike që lidhet me këtë çështje.

Në vitin 2012, një projekt i nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian kishte si objektiv realizimin e fekondimit in vitro në strukturat shtetërore brenda vitit 2013.

Projekti, me vlerë prej 25 milionë lekësh, u publikua në tetorin e vitit 2012 dhe rezultatet e para, sipas deklaratave të muajit tetor, do të ishin nga 9-12 muaj më pas.

Asokohe u bë e ditur se përmes projektit u dërguan profesionistë të fushës përkatëse (obstetër gjinekologë dhe embriologë) për kualifikim në Itali.

Gjithashtu u deklarua se nga ky projekt do të përfitonin falas metodën e riprodhimit të asistuar të gjithë ata qytetarë që paguanin sigurimet shëndetësore, ndërkohë që do të përcaktoheshin kriteret dhe procedurat e përfituesve nga i gjithë vendi, në bazë të prioriteteve që do të vendoste institucioni shëndetësor dhe stafi i ekspertëve.

Drejtuesit e maternitetit “Koço Gliozheni” nënshkruan projektin nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian. Dhe prej asaj kohe, në këtë maternitet është ngritur kabineti, i cili është i pajisur me aparaturat.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar shumë vite nga koha kur pritej të përurohej, kabineti ende nuk funksionon.

Lidhur me statistikat se sa fekondime in vitro kryhen mesatarisht në klinikat private, spitalet private të kontaktuara nga “Monitor” thonë se këto janë shifra konfidenciale.

Por, mjekët deklarojnë që janë shifra në rritje, sepse gjithnjë e më shumë po konstatojnë çifte që kanë probleme me fertilitetin.

Çfarë lloj tregu?

Infertiliteti mund të jetë tragjik për shumë çifte që duan që të bëhen prindër. Normat shumë të ndryshme të suksesit në “prodhimin e embrioneve” (siç e quan një mjek) nënkuptojnë gjithashtu trajtime të përsëritura. Dhe kjo nënkupton para më shumë.

“Njerëzit nuk e dinë se cilat do të jenë kostot, sepse ata nuk e kuptojnë se cilat janë probabilitetet”, – shpjegon mjekja obstetër Denisa Bajraktari.

“Kur njerëzit duan fëmijë dhe nuk mund t’i kenë, kërkesa është ndoshta më e thellë dhe më e fortë se çdo gjë tjetër”, – thotë ajo. “Steriliteti prek 10 deri në 15% të çdo popullsie, por për shekuj me radhë nuk ka pasur ‘ofertë’ për të përmbushur kërkesën përveç formës së adoptimit.

Gjersa mbërritëm te format si Fertilizimi in Vitro”-shpjegon ajo.

Tregu është i parëndësishëm për rreth 85% të popullsisë, pra për ata me fat që të krijojnë fëmijët në mënyrën e vjetër. Por i kërkuar për pjesën tjetër.

Dhe përveç kësaj, vitet e fundit, “tërheqës” edhe për të huajt që e marrin si shërbim turizmi shëndetësor, për shkak se Shqipëria është ndjeshëm më e lirë se sa pjesa më e madhe e vendeve europiane, sipas të dhënave të bëra publike nga klinika e fertilitetit pranë Hygeia.

Është një treg i veçantë, një treg që nuk ka gjasa të zgjerohet përtej një segmenti klientësh, që e përmendëm më lart, të cilët vuajnë nga infertiliteti.

Por me shërbime të shtrenjta. Shumica e këtyre klientëve të mundshëm, për më tepër, nuk përfitojnë kurrë nga asnjë formë lehtësie shtetërore për këto shërbime.

Ata që hyjnë në treg janë padyshim më të pasur dhe më të arsimuar se mesatarja, duke paguar mesatarisht 4000 euro një cikël mesatar të fekondimit in vitro.

Diçka që konstatohet për tregun është se, është padyshim monopol i klinikave private, për sa kohë institucionet shtetërore nuk e ofrojnë ende.

Më larg “natyrales”

Zhvillimet e fundit sugjerojnë gjithashtu se kërkesa për trajtim të fertilitetit së shpejti mund të shtrihet përtej popullatës jopjellore.

Vetëm në vitet e fundit, gra të shëndetshme, pa probleme fertiliteti kanë filluar të kërkojnë shërbime si Extend Fertility, të cilat premtojnë të ngrijnë vezët e tyre, si një mbrojtje kundër martesës së vonë ose një karriere të zgjatur.

Aplikime të tilla mund të shtojnë “klientë” në “tregtinë” e fertilitetit. Oriela Cano, drejtuese marketingu thotë se prej disa vitesh ka nisur të funksionojë si shërbim ai i ngrirjes së vezëve, i cili targeton kryesisht femra që duan të bëjnë karrierë, apo nuk kanë ende një partner.

Në këtë mënyrë, nuk humbasin shanset e fertilitetit të vezëve në një moshë më të herët, duke qenë se biologjikisht, pas të 40-ave, shanset e shtatzënisë nisin të reduktohen.

Gjithashtu, bëhet e ditur se procesi ndihmon edhe gratë që diagnostikohen me kancer, trajtimet e të cilit mund të prekin fertilitetin e tyre.

Dr. Elton Peçi, mjek obstetër i njohur në vend për fertilizimet in vitro, shpjegon se ngrirja e vezëve përpara moshës 35-vjeçare jep rezultate optimale.

“Sasia dhe cilësia e vezëve reduktohet me avancimin e moshës së femrës. Kështu që ‘ruajtja’ e sa më shumë vezëve ofron siguri më të madhe, pasi jo të gjitha vezët do t’i rezistojnë procesit të shkrirjes (kur ato do të përdoren) dhe jo të gjitha ato që i mbijetojnë shkrirjes do të arrijnë të fertilizohen”, – shpjegon dr., Peçi.

I pyetur se sa kushton si procedurë, ai përgjigjet: “Ngrirja e vezëve kushton më pak se sa një cikël i plotë Fertilizimi In Vitro.

Në shpenzime përfshihen konsulta me mjekun specialist, analizat rutinë, medikamentet stimulante (hormone) e vezoreve, procedura e aspirimit të ovociteve (vezëve) dhe ruajtja në ngrirje (krioprezervim) i tyre dhe pagesa simbolike vjetore.

Kini parasysh se kushton shumë herë më pak se sa një Fertilizim In Vitro në moshën 40-vjeçare” – përfundon ai.

Sa do të ndikojë në buxhet lindshmëria e ulët

Edhe pse shumë nga efektet fiskale afatshkurtra të fertilitetit, të tilla si ulja e kostos së arsimit dhe kujdesit shëndetësor të fëmijëve, duhet të jenë pozitive për bilancet shtetërore, në terma afatgjatë, rënia mund të çojë në një ulje të flukseve kryesore të të ardhurave, duke pasqyruar reduktimet në fuqinë punëtore.

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2022 lindën 24.688 foshnja, duke pësuar rënie prej 9,3%, krahasuar me një vit më parë.

Në janar të vitit 2023, INSTAT raportoi se popullsia e vendit u reduktua edhe me mbi 31 mijë persona, në krahasim me janarin 2022 dhe 145 mijë persona më pak se më 2011, kur u krye Censi i fundit.

Një projeksion i fundit i Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) për popullsinë 2021 – 2050 tregoi se numri i përgjithshëm i popullsisë së Shqipërisë do të arrijë brenda një kufiri realist midis 2,06 dhe 2,3 milionë banorësh deri në vitin 2050.

Sipas ekspertëve demografë, lindshmëria e ulët do të ketë efekte të gjata në ekonomi dhe shoqëri.

Lindshmëria e ulët ka ndikime të ndryshme dhe komplekse, sipas sociologes Doralda Tanellari.

“Në një shoqëri me lindshmëri të ulët, shumica e njerëzve kanë të ardhura të ulëta dhe vështirësi në përmirësimin e standardit të jetesës së tyre.

Këtë e hamendësojmë, duke menduar se janë familje që nuk kanë mundësi ekonomike për të sjellë në jetë një fëmijë. Mungesat që përballen mund të përfshijnë mangësi në ushqim, akomodim, kujdes shëndetësor dhe arsim.

Pasojat e kësaj janë të ndjeshme në jetën e përditshme të individëve, pasi ata janë të kufizuar në mundësitë e tyre për të përfituar nga shërbimet dhe mundësitë e ofruara nga shoqëria”, – thotë ajo,

Ndërsa ndikimet në ekonominë e një vendi, sociologia i citon si më poshtë:

-Plakja e popullsisë: Kur kemi lindshmëri të ulët, popullsia e një vendi plaket. Kjo do të thotë se përqindja e njerëzve të moshuar rritet ndjeshëm në krahasim me të rinjtë.

Plakja e popullsisë mund të çojë në nevojën për shërbime shëndetësore dhe kujdes shtesë për të moshuarit, duke shtuar shpenzimet e shtetit në këto fusha.

-Rënia e fuqisë punëtore: Kur një shtet ka lindshmëri të ulët, forca punëtore e disponueshme për tregun e punës mund të reduktohet. Kjo mund të krijojë vështirësi për kompanitë dhe industritë që janë në kërkim të punëtorëve.

-Shpenzimet e shtetit për pensione dhe shërbime shëndetësore: Me plakjen e popullsisë, shteti duhet të financojë pensionet dhe shërbimet shëndetësore, për një numër më të madh të të moshuarve. Kjo mund të shtojë shpenzimet e shtetit dhe të ndikojë në buxhetin publik.

-Ndryshimet në tregun e pasurisë dhe konsumit: Një popullsi më e plakur ka zakonisht konsum më të ulët dhe mund të ketë ndikim negativ në sektorët ekonomikë që janë të orientuar kryesisht nga konsumi i brendshëm, si tregtia dhe industritë e tjera të mallrave dhe shërbimeve të konsumit.

-Inovacioni dhe zhvillimi ekonomik: Në shoqëritë me lindje të ulët, mund të ketë mungesë të fuqisë punëtore të re dhe inovacionit. Ky faktor mund të ndikojë në aftësinë e vendit për të zhvilluar sektorët e teknologjisë dhe të inovacionit.

“Për të zgjidhur sfidat që vijnë me një lindshmëri të ulët, shumë shtete kanë politika dhe masa të ndryshme, përfshirë promovimin e lindshmërisë, përmirësimin e kushteve të punës dhe përgatitjen e popullsisë për të marrë pjesë në forca punëtore më të kualifikuara dhe produktive”, – përfundon znj. Tanellari.

 

Akses në trajtimin e fertilitetit

Shqipëria renditet në vend të fundit në Europë për trajtimin e fertilitetit për qytetarët. Nga 43 vende të tjera të marra në analizë, vendi ynë ofron aksesin më të dobët në trajtimin e këtij problemi.

Këto të dhëna janë marrë nga një analizë e kryer nga “Fertility Europe” dhe “Forumi Parlamentar Europian për të Drejtat Seksuale dhe Riprodhuese”.

Atlasi Europian i Politikave të Trajtimit të Fertilitetit ka një vlerësim për shtetet të shtrirë nga 0% në 100%, ku 0-30% vlerësohen shtetet me akses jashtëzakonisht të dobët dhe 81-100% janë shtetet me performancë ekselente.

Shqipëria vlerësohet me 13%, pra duke bërë pjesë te vendet me akses jashtëzakonisht të dobët në trajtimin në fertilitetit, por edhe në hartimin e rregulloreve që ofron akses të barabartë, të sigurt dhe efikas në trajtim për të gjithë njerëzit.

Gjithashtu Shqipëria ka në nivel të dobët për konsultat me mjekët, në testimet gjenetike për probleme të mundshme, në ofrimin e mbështetjes psikologjike, si dhe në edukimin mbi fertilitetin në tekste shkollore.

Vendet e rajonit kanë një performancë më pozitive se vendi ynë në këtë raport, edhe pse po ashtu paraqiten me akses të varfër. Mes vendeve të fundit me Shqipërinë, renditen vende si Armenia, Irlanda dhe Polonia, ndërsa në vendet me performancën më të mirë renditen Belgjika, Franca, Holanda etj.

Theksojmë se vendi ynë gjithashtu vuan dhe nga rënia e numrit të lindjeve dhe plakja e popullsisë e po ashtu norma e fertilitetit është nën nivelin e pranuar.

Bazuar në një dokument të Parlamentit Europian të vitit 2016, shtete të ndryshme ndjekin praktika të ndryshme në lidhje me fekondimin in vitro. Kështu, në Austri, shteti financon 70% të procedurës, Belgjika rimburson të gjitha kostot laboratorike për 6 cikle IVF, sikundër dhe Kroacia.

IVF-ja mbulohet dhe nga sistemi francez i sigurimeve shoqërore për gratë më të reja se 43 vjeç dhe që janë në një lidhje heteroseksuale. Ndërsa në Gjermani, trajtimet e IVF janë pjesërisht të mbuluara nga sigurimet shëndetësore.

Edhe në shtetin fqinj, Greqi, trajtimet IVF mbulohen pjesërisht nga sistemi kombëtar i kujdesit shëndetësor. Italia e ofron falas fekondimin in vitro për ato çifte që sigurojnë certifikatë të infertilitetit.

Kostot e shërbimeve të fertilizimit in vitro (IVF)

Kostot e shërbimeve të fertilizimit in vitro (IVF) në Shqipëri ndryshojnë në varësi të spitaleve apo klinikave që ofrojnë këtë shërbim. Në përgjithësi, IVF është një procedurë e kushtueshme dhe kërkon një angazhim financiar të konsiderueshëm. Në Shqipëri, mesatarisht, një cikël IVF mund të kushtojë nga 2000 euro deri në 3,000 euro ose më shumë, por kjo është vetëm një shifër orientuese dhe mund të ndryshojë nga një klinikë në tjetrën. Por kjo është një kosto e përllogaritur pa ilaçet mbështetëse, e hamendësuar me vetëm një cikël trajtimi dhe pa kostot e lindjes e më tej.

Disa faktorë që mund të ndikojnë në koston e fertilizimit në Shqipëri:

Klinika e zgjedhur: Kostot mund të ndryshojnë nga një klinikë në tjetrën. Klinikat private shpesh ofrojnë këtë shërbim, dhe çmimet mund të ndryshojnë në bazë të reputacionit të klinikës dhe cilësisë së shërbimeve të tyre.

Lloji i procedurës: IVF ka disa variacione dhe lloje të ndryshme të procedurave të lidhura me fertilizimin in vitro. Çdo procedurë mund të ketë një çmim të veçantë.

Depoja farmaceutike: Përdorimi i medikamenteve për stimulimin e ovulacionit dhe procedurave të tjera mund të ndikojë në koston e përgjithshme të IVF. Çmimet e medikamenteve ndryshojnë në bazë të markës dhe dozës së nevojshme.

Numri i tentimeve: Për disa çifte, IVF mund të kërkohet të përsëritet disa herë para suksesit. Kjo do të rrisë kostot.

Shërbimet shtesë: Mund të ketë shërbime shtesë që mund të ofrohen nga klinika, siç janë testet gjenetike të embrionit ose teknika të tjera shtesë që mund të shtojnë në koston e procedurës. /Monitor

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re