Sali Berisha ka treguar ndër vite se nuk ka skrupuj në betejat e tij dhe përdor çdo metodë, që nuk e rrok as logjika eas  morali, për të luftuar kundërshtarët e vet.

Janë së paku dy lajme të prodhuara nga ai së fundmi, që tregojnë se Berisha nuk ndalet para asgjëje, pavarësisht se i trajton si budallenj demokratët dhe ata që e ndjekin pas, me sajesa të denja për Sigurimin e Shtetit.

Fillimisht përdori një vdekje, për të thurrur një intrigë që do ia kishte zili çdo skenarist filmash: Lulzim Basha, sipas tij, kishte takuar Erion Veliajn dhe Taulant Ballën në këtë vaki dhe kishin thurrur planin për të publikuar listëpagesat e shqiptarëve.

Se pse do ta bënin këtë gjë, vetëm Berisha mund ta shpjegojë.

Por, nëse kjo përrallë mund të “haej” disi, meqë të tre personazhet e mësipërm u ndodhën në këtë vaki, lajmi i dytë tejkalon çdo fantazi.

Ai ka sajuar një lajm, sikur një emigrant shqiptar paska përgjuar Sokol Ballën në rrugët e Nju Jorkut, ndërsa ky i fundit thoshte se “po paguajmë sa qimet e kokës për të shkatërruar Sali Berishën”, duke e bërë Ballën kështu me të padrejtë, edhe faktor të rëndësishëm politik, që paska në dorë se kush politikan do shkatërrohet e kush do të ngrihet.

Kuptohet Berishës nuk i bën përshtypje se bëhet qesharak me këto lajme, pasi qëllimi është të manipulojë turmat e verbëra që e ndjekin, dhe çuditërisht, ka shumë të tillë që i besojnë këto sajesa të denja për filmat e “Kinostudios”.

Madje edhe nga ata që i kemi pasur ministra, si fjala vjen Ylli Manjani, që i kërkon Sokol Ballës të lërë gazetarinë, meqë qenka përfshirë në planin e madh për shkatërrimin e Berishës.

Nuk është çudi në fakt, që ashtu si pas 21 janarit, kur degradoi mendërisht pas vrasjes së katër të pafajshmëve, Berisha të zbulojë edhe “puçistët” e tjerë, Mero Baze e Filip Çakuli.

Vetëm se i duhet të gjejë edhe një tjetër, se këtë radhë “puçistin” e katërt Andi Bushati e ka me vete.

Sepse njësoj si atëhere, kur e dinte se çfarë kishte bërë dhe për këtë arsye degradoi mendërisht, nga frika e asaj që mund të pësonte, edhe këtë herë e di fare mirë se çfarë ka bërë dhe çfarë mund ta gjejë atë dhe familjen e tij.

Por ndryshe nga atëhere, këtë radhë nuk ka përballë “laviren e bulevardit”, por një trupë të reformuar të drejtësisë, që ka mbështetjen e SHBA dhe BE.

(TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re