Një punonjës i Policisë së Shtetit, në Njësinë e Posaçme Operacionale “Enfast”, dyshohet se ka përvetësuar një shumë prej 5.5 milionë lekësh, që ishin të sekuestruara në cilësinë e provës materiale.

Pas një hetimi të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, është vendosur pezullimi i tij nga detyra, pasi dyshohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Bëhet fjalë për efektivin Kledian Çaushaj, i cili në kohën kur dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, në vitin 2016, kishte detyrën e specialist pranë Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar të SHÇBA-së, shuma monetare ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale të një procedimi penal që i përket vitit 2016. Nga hetimi është provuar se punonjësi i policisë nuk ka kthyer sendet me vlerë të sekuestruar në kuadër të hetimit.

“Pezullohet nga detyra një punonjës policie, i dyshuar për vjedhje, duke shpërdoruar detyrën. Hetimi i kryer nga SHÇBA ja në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës”, njoftoi dje Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

HETIMI

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat njoftoi dje se, në zbatim të urdhrit të prokurorit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues, “Pezullim i një detyre a funksioni publik” në ngarkim të punonjësit të Policisë, nënkomisar Kledian Çaushajt, me detyrë specialist pranë Njësisë së Posaçme Operacionale ‘Enfast’, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ai dyshohet për veprën penale “Vjedhje, duke shpërdoruar detyrën”.

“Pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Prokurorinë, janë siguruar prova, të cilat krijojnë dyshim të arsyeshëm se ky punonjës policie gjatë ushtrimit të detyrës si specialist pranë Sektorit të Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vitin 2016, ka keqpërdorur atributet dhe kompetencat e Policisë Gjyqësore, me qëllim përvetësimin për shpenzime personale të një shume të konsiderueshme parash, me vlerë 5.5 milionë lekë”, tha dje SHÇBA-ja.

Më tej, sqaroi se shuma monetare ishte e sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në kuadër të një procedimit penal. Është e provuar se punonjësi i Policisë, me dashje nuk ka zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Procedurës Penale për dispononim e provës materiale mbi kthimin e sendeve, pronarëve të ligjshëm, të cilëve iu ishin sekuestruar në kuadër të hetimit.

Po ashtu, ky punonjës policie nuk ka përmbushur detyrimet për zbatimin e vendimit të Gjykatës për kthimin e sendeve të sekuestruara, e për pasojë ka dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit dhe shtetasve. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

“SHÇBA-ja mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90”, thuhet në njoftim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re