Ndërsa disa vende po lehtësojnë masat e marra ndaj koronavirusit, ekspertët e shëndetit mendor kanë vënë re një fenomen në zhvillim; ankthi për jetën pas bllokimit, shkruan BBC.
Ndërkohë që disa njerëz ende po jetojnë nën këto masa të rrepta izolimi kanë frikë se çfarë do të ndodhë kur të hiqen këto rregulla.
“Do të jetë e pakëndshme për shumicën prej nesh,” thotë Akanksha Bhatia.
Shkrimtarja dhe avokatja 25-vjeçare për shëndetin mendor dhe të drejtat e grave ka jetuar me ankth edhe para izolimit.
Akanksha poston në mediat sociale duke i treguar ndjekësve të saj për mënyrën sesi izolimi po ndikon në jetën e saj. Ajo jeton dhe punon në Delhi por është transferuar përsëri në Chennai për të jetuar me prindërit e saj ndërsa India është ende në bllokim.
“Nuk ka qenë aq e lehtë,” thotë ajo. Një muaj në izolim, kam pasur ditë të këqija dhe kam qarë shumë.
“E gjitha çfarë mund të bësh është t’i thuash vetes se kjo do të përfundojë së shpejti”.
Jeta në izolim
Si shumë njerëz, Akanksha ka pasur disa vështirësi gjatë izolimit.
Akanksha e përshkruan veten si një introvert dhe thotë se kontakti me njerëz është një nga gjërat që e ka shqetësuar më së shumti.
Ajo ndihet e qetë që po kalon kohë me familjen e saj dhe në këtë mënyrë duket se ka arritur ta përballojë më lehtë izolimin gjatë javëve të fundit. Tani shqetësimet e saj janë të përqendruara në mënyrën sesi ajo do të rikthehet në jetën e saj të mëparshme, raporton
“Të dilni nga shtëpia, ndërkohë që keni ankth është ajo që ju mposht si njeri”, thotë ajo.
Shumë njerëz janë të shqetësuar nëse udhëheqësit e tyre do të heqin bllokimin më herët, pasi shumica kanë frikë se do të rritet shkalla e infeksionit. Por disa janë gjithashtu të shqetësuar edhe për rikthimin në një jetë normale.
Efektet e izolimit
“Pasi të dilni jashtë pas një kohë të gjatë, mund të ju duket shumë e çuditshme “, thotë Nicky Lidbetter, CEO i Anxicion UK , një bamirës që mbështet personat me probleme të shëndetit mendor.
“Ndoshta ju do të humbisni vetëbesimin për të bërë ato gjëra që nuk i keni bërë për një kohë të gjatë.”
Ajo jep shembuj të takimeve të punës ballë për ballë ose përdorimit të transportit publik – situata që mund të kenë stresuar ose shqetësuar shumë njerëz edhe para rrezikut të infeksionit, raporton
Ndërsa disa njerëz kanë qenë të sigurt në komoditetin relativ të shtëpisë së tyre, të tjerët janë përballur me situata të vështira dhe shqetësuese.
Nga punonjësit e mjekësisë në vijën e parë, tek njerëzit që janë përpjekur të ndalojnë falimentimin e biznesit të tyre, për ta javët e fundit mund të ketë qenë tepër te zëna dhe stresuese.
Por një faktor i përbashkët që të gjithë ne ndajmë është sa shumë kemi ndryshuar mbas çdo gjëje që ka kaluar.
“Është shumë stresuese për njerëzit,” thotë Dr Steven Taylor, një profesor në departamentin e psikiatrisë, në Kanada.
“Njerëzit janë duke u përpjekur të përballojnë gjithë situatën duke u izoluar, duke krijuar siguri dhe një strehë.
“Ironikisht kjo mund të krijojë probleme më vonë sepse njerëzit mund të mos duan të dalin nga izolimi nga frika e botës jashtë.”
Dr Taylor është autori i The Psychology of Pandemic, një libër i botuar vetëm disa javë përpara se koronavirusi të dilte nga Kina në fund të vitit 2019.
“Përhapja dhe kontrollimi i infektimit në rastin e një pandemie është më shumë një problem psikologjik,” thotë ai.
“Nuk janë vetëm disa gabime që ndodhin rastësisht në të gjithë botën. Është sjellja e njerëzve që përcakton nëse një virus do të përhapet apo jo.”
Rihapja e parakohshme
Kur qeveritë të lehtësojnë masat e izolimit, Dr Taylor thotë se udhëheqja e mirë do të jetë thelbësore për të ndihmuar njerëzit të ndihen të sigurt në ndryshimin e jetesës, raporton
“Për të ndihmuar në riintegrimin e njerëzve në një botë post-pandemike, duhet të ketë një komunikim të qartë nga udhëheqësit, [duke thënë]” Tani është mirë të përqafoni njerëzit. Nuk ka asnjë problem të shkoni në restorante “.
“Udhëzimet duhet të jenë të qarta për njerëzit dhe të ndihmojnë në zvogëlimin e pasigurisë, gjë që do të zvogëlojë edhe ankthin”.
Disa njerëz po përshkruajnë emocionet që ndiejnë si simptoma të agorafobisë(një çrregullim ankthi që karakterizohet nga simptomat e ankthit në situata kur personi e percepton mjedisin e tij si të pasigurt pa asnjë mënyrë për të shpëtuar) por kjo nuk është e saktë.
“Ajo që njerëzit e përshkruajnë si agorafobi është e ngjashme në disa mënyra me agorafobinë, për të vetmen arsye se ata janë të frikësuar për të dalë jashtë”, thotë Dr Taylor, “por motivimi është i ndryshëm.”
Njerëzit me agorafobi shmangin situata të caktuara, sepse janë të frikësuar se mund të kenë një sulm paniku.
“Këta njerëz të shqetësuar për jetën pas izolimit nuk tremben se mund të kenë sulme paniku, ata janë të frikësuar se mos infektohen ,” thotë Dr Taylor.