Bronkiti është veçanërisht i bezdisshëm sepse kolla mund të zgjasë për shumë javë, edhe pasi infeksioni të ketë kaluar.

Atëherë, çfarë mund të bësh?

Së pari, sigurohuni që keni vërtetë bronkit. Nëse nuk jeni të sigurt ose keni temperaturë të lartë, këshillohuni me mjekun tuaj për të përjashtuar probleme më serioze si pneumonia. Nëse jeni diagnostikuar me bronkit, mund të ndodhë që kolla të zgjasë për disa javë. Bronkiti shkaktohet pothuajse gjithmonë nga një virus.

Kjo do të thotë që antibiotikët nuk do të ndihmojnë dhe nuk mund të bëni shumë për të shpejtuar procesin e shërimit. Sidoqoftë, njerëzit provojnë të gjitha llojet e gjërave për të ndihmuar në lehtësimin e simptomave. Disa kanë rezultat. Të tjera, jo edhe aq shumë.

Uji
Pini shumë ujë për të ndihmuar në zbutjen e mukusit në mënyrë që ta nxirrni atë jashtë gjatë kollitjes. Për fat të keq, vera dhe kafeja nuk kanë të njëjtin efekt hidratues, kështu që qëndroni tek uji, çaji bimor dhe supa.

Avulli 
Në rastin e kollës së thellë, duket sikur nuk mund t’i nxjerrësh sekrecionet nga mushkëritë. Avulli ndihmon në zbutjen e mukusit, në mënyrë që të shpëtoni prej tij. Nëse jeni frekuentues i qëndrave Spa, ky është padyshim shansi juaj për të përdorur saunën. Ose thjesht ndizni dushin në banjën tuaj dhe lini që dhoma të mbushet me avull.

Përndryshe mund të mbushni një tigan ose tenxhere me ujë që vlon dhe mbështetuni mbi të për të thithur avullin. Por kini kujdes, mos e mbuloni kokën me peshqir për të bllokuar avullin, sepse mund të nxehet shumë dhe të digjni rrugët e frymëmarrjes.

Spray dhe gargarat me ujë të kripur

Përdorni një spray nazal (për hundën) me ujë të kripur (ujë fiziologjik) për të pastruar sinuset. Edhe nëse simptomat janë në kraharor, shumica e njerëzve gjithashtu kanë bllokim të hundëve. Uji me kripë ndihmon në pastrimin e mukusit dhe gjithashtu hidraton indet tuaja. Gargarat me ujë të kripur gjithashtu mund të qetësojnë dhe hidratojnë një dhimbje të fytit.

Mjalti
Çaji me mjaltë është një klasik i vjetër për trajtimin e ftohjeve. Ëmbëlsuesi i preferuar i nënës natyrë ndoshta nuk do të bëjë shumë për të pastruar kollën tuaj por mund të qetësojë dhimbjen e fytit që shpesh shkon bashkë me të.

Vajrat esenciale

Po, ato janë në trend, por nuk ka asnjë provë që vajrat esenciale mund të ndihmojnë me simptomat e bronkitit. Sidoqoftë, disa njerëz mendojnë se thithja e avullit me vaj mentoli është veçanërisht qetësues.

Nuk funksionon domosdoshmërish më mirë se avulli i thjeshtë, por mund t`ju bëjë ndiheni më mirë. Fatkeqësisht, do të duhet të bëni ende shumë durim ndërsa shëroheni nga bronkiti. Por me këto mënyra të thjeshta, do të ndiheni të paktën pak më mirë ndërsa prisni.

/shkollaeshendetit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re