Përpara mesditës së 19 prillit, ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj pati një tjetër tentativë për vrasjen e tij, por gjashtë të akuzuarit nga policia për ekzekutimin mafioz, e arritën qëllimin e tyre vetëm 3ditë më vonë.

 

Edmond Haxhia dhe 5 shtetas të huaj bashkëpunuan me njëri-tjetrin për të vrarë Nikulajn brenda lokalit të tij në Shëngjin, ndërsa gjykata ka dhënë masën arrest me burg në mungesë për të gjithë.

 

Haxhia, i cili mban edhe shtetësinë shqiptare, edhe atë britanike, është

ai që ka porositur dhe financuar atentatin mafioz.

 

Ndërsa Steven Hunt, shtetasi britanik, që shikoni në këto pamje, kishte detyrën të vëzhgonte lëvizjet e Nikulajt. Ai ka ardhur dy herë në vendin tonë për të marrë informacion dhe më pas kane mbërritur edhe të tjerët.

 

Ekzekutori është ky që shihni në foto, i identifikuar si Ruben Saraiva, me shtetësi portugeze. Lëvizjet e tij vetëm pak minuta para se të futej në lokal për të kryer atentatin, janë kapur nga kamerat jashtë.

 

Në vrasje kanë marrë pjesë edhe katër britanikë të tjerë, të cilët pas ekzekutimit janë larguar nga Shqipëria. Sipas policisë, Edmond Haxhia është larguar i fundit drejt Britanisë, në datë 20 prill.

 

Ai i ka pritur të gjithë anëtarët e grupit në një zonë të errët pa shumë ndriçim, në aeroportin e Rinasit. Pamjet e kamerave të sigurisë i tregojnë ata duke dalë dhe duke folur ne telefon, në mënyrë që të orientoheshin.

 

Grupi i vrasësve, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është zbuluar nga një mjet tip “Passat” i marrë me qira, që është përdorur nga britaniku dhe portugezi që kanë bërë vrasjen.

 

Ardian Nikulaj u vra për gjakmarrje, për një konflikt të ndodhur në vitet ’97 mes tij dhe familjes Lekstakaj. Porositësi Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re