Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dalë sot në një deklaratë nga selia blu, për të lexuar emrat e delegatëve që sipas tij kanë marrë pjesë në Kuvendin e 18 Dhjetorit.

Bardhi tha prerë se lista e anëtarësisë nuk do ti dorëzohet mediave, ndërsa shtoi se në sallën e Pallatit të Kongreseve kanë qenë 5004 persona për të votuar, pavarësisht se kapaciteti i saj është më pak se 2 mijë ulëse.

“Votat janë verifikuar përmes votimit të hapur, si në çdo Kuvend tjetër që ka mbajtur PD. Kështu është bërë edhe në Kuvendet ku ka qenë vetë prezent Sali Berisha.

Verifikohet 10 herë më mirë sesa po të ishte ne stadium, edhe dylbi të kishte me vete, nuk e shikoje dot atë që ishte në cep të stadiumit”, tha Bardhi, ndërkohë që u përgjigj prerë se funksionet e delegatëve të Kuvendit nuk do të lexohen.

Pikërisht këtu qëndron edhe kleçka, që një anëtar Kuvendi nuk mund të jetë një anëtari thjeshtë i PD-së. Delegatët duhet të kenë një funksion në strukturat e partisë, që të mund të jenë dhe pjesë e votimeve në Kuvend.

Gazetari: Ka patur vetëm 1958 karrige në Pallatin e Kongreseve. Ku kanë qëndruar delegatët?

Gazment Bardhi: Ka patur edhe persona në këmbë, përveçse personave të ulur. Ka patur delegatë që kanë qenë në ambientet e tjera në të treja hollet e Pallatit të Kongreseve. Unë dhe ti nuk kemi për detyrë të numërojmë karriget. Kemi për detyrë të bëjmë transparencë të delegatëve.

Unë nuk u kam vënë GPS- nga mbrapa anëtarëve të Kuvendit, sepse nuk është kjo detyra ime.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re