Projekti “Siguri energjetike nëpërmjet zbutjes së varfërisë energjetike”, që u zbatua nga shoqata “Për Mirëqënie Sociale dhe Mjedisore” Berat e u mbështet vullnetarisht nga Qendra Mjedisore për Zhvillim, Edukim dhe Rrjetëzim (EDEN) Tirane, Agjencia e Demokracisë Lokale (LDA) Vlorë, Qendra e Informacionit Aarhus Shkoder (AIC) dhe Klubi Ekologjik Elbasan (KEE), ka shkuar drejt finishit.
Projekti u mbyll me konferenca e mbajtur më datë 07.11.2023 në Bashkinë Berat, ku të pranishmit nga Bashkia Berat, Prefektura, Këshilli i Qarkut, Institucione arsimore dhe OJF e aktivistë të organizatës, prezantuan risitë e këtij projekti të rëndësishëm e nevojën që Këshilli Bashkiak të njohë punën e realizuar nga organizata, në mënyrë që arritjet e saj të mund të finalizohet me fonde për familje me problematika sociale që jetojnë në kushte ekstreme e ndonjëherë edhe pa matësa të energjisë.
Shoqata “Për Mirëqënie Sociale dhe Mjedisore” Berat ka konceptuar një veprim që synon të rrisë kapacitetin advokues, rolin dhe ndikimin e shoqërisë civile për një qasje proaktive dhe përfshirje të aktorëve lokalë të interesit në politikat dhe praktikat që trajtojnë problemet e varfërisë energjetike në nivel vendor, me fokus Bashkinë e Beratit dhe përfshirje të grupevetë interesit nga Bashkitë, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Elbasan.
Projekti “Siguri energjetike nëpërmjet zbutjes së varfërisë energjetike” ka patur disa rezultate të prekshme:
Pesë takime me aktorë të Institucioneve lokale (kryesisht Bashki), përfaqësues të OJF-ve, qytetarëve aktiv nëpër rrethe, që patën mundësi të dëgjoheshin për problematikat e tyre familjare që lidheshin me sigurinë energjitike. Rreth 110 persona morën pjesë në tryezat e përbashkëta, (36 prej tyre vetëm në Berat).
Trajnime dyditore në çdo qytet të targetuar, rreth 180 persona.Tre module në dy ditë rritën kapacitetet, duke sjellë më afër përvojat e BE, në lidhje me çështje të Sigurisë Energjitike. Të rinjtë e të rejat e përfshira, kanë krijuar modele drejtuese nëpërmjet role play-it, duke programuar e vënë në jetë programe të suksesshëm që mbështesin shtresat në nevojë nëpërmjet strategjive lokale për “Izolimin, termoizolimin, shtëpitë “SMART”, ku kryefjala është efiçensa dhe energjia e rivovueshme. 170 të rinj e të reja u trajnuan për konceptet e : “Garantimi i sigurisë energjetike në nivel vendor; eficienca e energjisë dhe praktika të mira nga BE; fushatëbërja- aktivizmi dhe advokimi në komunitet në mbështetje të familjeve vulnerabël nga pikëpamja energjetike”, bazuar në metodologjinë e “Ndërgjegjësimit Informal”
Falë këtij projekti është rritur ndjeshëm interesi i qytetarëve për të qënë pjesë e Sigurisë Energjitike. Ata u informuan, përmirësuan njohuritë, rritën informacionin, u dëfryen dhe përcollën edhe në shtëpitë e tyre simbolikat e projektit: Vizatimet dhe llambat LED që u ndanë për ta, në aktiviteteve tona. Nga ky projekt janë shpërndarë 64 llamba LED në familjet vulnerabël.
Komiteti Qytetar i Energjisë, u mbështet nga qytetarë, përfaqësues të Shoqërisë civile, ekspertë, përfaqësues të institucioneve, të cilët ratifikuan Marrëveshjen e Bashkëpunimit, për tu bërë një instrument lobimi në Bashkinë Berat, për të përfshirë në planët e saj strategjike një projekt që do të mbështesë shtresat në nevojë, i shprehur në programin “Izolimi, termoizolimi i shtëpive”, që lidhet me advokimin e politikave dhe praktikave që trajtojnë problemet e varfërisë energjetike në nivel vendor, mbështetur në praktikën Evropiane. Memorandumi i Bashkëpunimit mban firmat e 36 pjesëmarrësve nga pesë qytete të Shqipërisë.
U krijua një rrjet aktiv i aktorëve të interesit në territorin e synuar e më gjerë për garantimin e rritjes së influencës qytetare në proçeset e menaxhimit aktiv të varfërisë energjetike. Aktorët lokalë të interesit të rrjetëzuar, nxiten dhe orientohen të ndërmarrin nisma advokuese për parandalimin dhe zbutjen e problematikave të varfërisë energjetike në nivel vendor, edhe në qytetet e tyre përkatëse.