Skip to content

Siguria dhe stabiliteti i rajonit, fregata e marinës franceze ankorohet në portin e Durrësit

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Një fregatë e marinës franceze ankorohet në portin detar të Durrësit, si pjesë e misionit për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Fregata tip La Fayette (FLF) Aconit u ankorua sot në port për një ndalesë disaditore. Kjo fregatë është vendosur në Mesdheun qendror, si pjesë e misioneve të prezencës së rregullt të anijeve luftarake franceze në këtë zonë detare dhe veçanërisht në detin Adriatik. FLF Aconit ka filluar shërbim aktiv në vitin 1999, dhe është një nga pesë fregatat e tipit La Fayette të Forcës së Veprimit Detar.

Si një anije luftarake e fshehtë, Aconit mund të kryejë veçanërisht misione të mbikëqyrjes detare, të zbulimit, të vendosjen në gatishmëri të forcave speciale ose të integrohet në një Task Force në një zonë krize. Në ditën e fundit të qëndrimit të saj në vendin tonë do të zhvillohet dhe një stërvitje e përbashkët me forca të marinës sonë.

Në njoftimin e saj, ambasada franceze në Tiranë bën me dije ndër të tjera se patrulla Aconit i mundëson Francës të përvetësojë njohuri të pavarura për zonën, të kontribuojë në sigurinë e qasjeve detare në Evropë dhe të afirmojë kujdesin që tregon Franca për sigurimin e lirisë së qarkullimit detar dhe ajror.

Bashkëpunimi me aleatët e Francës është në qendër të dislokimit të Aconit. Në këtë kontekst kjo fregatë zhvillon disa seanca të përbashkëta stërvitore me partnerët e NATO-s gjatë misionit të saj. Bashkëpunimi me Shqipërinë zë një vend të veçantë, që synon njohjen e ndërsjellë dhe ndërveprimin mes marinës franceze dhe asaj shqiptare, në shërbim të stabilitetit të rajonit.

Gjatë kësaj ndalese në Durrës, ekuipazhi i “Aconit” do të bashkëpunojë me marinarët shqiptarë me qëllim shkëmbimin e përvojës dhe njohurive midis partnerëve të bregut të Mesdheut, veçanërisht në fushat e operacioneve policore në det, të përpjekjeve kundër avarive dhe të zhytjes ushtarake. Këto shkëmbime do të bëjnë të mundur edhe përgatitjen për periudhën e stërvitjes së ndërsjellë në det që do të zhvillohet ditën e largimit të Aconit nga Durrësi, së bashku me një mjet të marinës shqiptare.

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë