Taskforca për sigurinë ushqimore në sezonin veror ishte sot për kontroll në Pogradec në hotele, restorante, pastiçeri dhe markete.

 

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca e cila ndoqi në terren punën së bashku me kryebashkiakun e Pogradecit, Ili Xhakolli shprehu angazhimin e strukturave për të garantuar siguri ushqimore në tregjet e vendit.

 

MINISTRJA E BUJQËSISË – FRIDA KRIFCA

“Në Pogradec gjatë muajve të verës kemi dyfishim të numrit të popullatës. Ekipi i AKU-së raporton për një kontroll dhe një prezencë të shtuar edhe në subjekte që tregtojnë ushqime si minimarkete, supermarkete, bare, restorante, kafe apo tregtues të ushqimeve të shpejta dhe fabrika përpunimi të ushqimeve të ndryshme. Kjo për të siguruar një kontroll të shtuar për sa i takon parametrave të zbatimit të sigurisë ushqimore”, tha ministrja.

 

Krifca tha se ushqimi është një pasaportë mjaft e rëndësishme për turizmin, ndërsa tërhoqi vëmendjen për një rast mashtrimi me etiketat e ushqimeve të evidentuara në një supermarket në Korçë.

 

“Në qarkun e Korçës ne kemi kryer një aksion shumë të rëndësishëm. Kemi gjetur një supermarket të licencuar por që e kryente aktivitetin me mashtrime etiketash. Ky subjekt është bllokuar”, tha ajo.

 

Ministrja e Bujqësisë siguroi se AKU nuk do të bëjë asnjë tolerancë për veprimtari të tilla të paligjshme me fshirje etiketash.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re