Qeveria ka rikthyer projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Versioni i ri nuk sjell ndryshime të mëdha në thelb, por përmban disa përmirësime në afate, procedura dhe mënyrën e administrimit të skemës.
Sipas nismës, të gjitha banesat në Shqipëri do të jenë të detyruara të sigurohen nga tërmetet, me disa përjashtime për ndërtimet prej argjile, qerpiçi, kallami apo ato me karakter të përkohshëm ose të lëvizshëm.
Skema e sigurimit do të administrohet nga një ent i posaçëm me kapital shtetëror, i quajtur Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet. Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit që do të paguajnë pronarët e banesave do të caktohet nga Fondi, me pëlqimin e ministrit të Financave.
Projektligji parashikon gjithashtu sanksione për subjektet që nuk zbatojnë detyrimin për sigurim, të cilat nuk do të mund të marrin shërbime kadastrale, shërbime përmes portalit e-Albania apo nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Një ndër ndryshimet e pakta në versionin e ri lidhet me afatet e dëmshpërblimit. Ndërsa në projektligjin fillestar ky afat ishte deri në 9 muaj, tani parashikohet që pagesa e dëmit të kryhet brenda 3 muajve nga momenti i plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm.
Një tjetër element i ri është përcaktimi i qartë i rasteve kur një banesë është e siguruar si me kontratë të detyrueshme, ashtu edhe me sigurim vullnetar. Në këtë rast, dëmshpërblimi bëhet fillimisht sipas sigurimit të detyrueshëm, ndërsa pjesa që tejkalon këtë vlerë paguhet sipas kontratës vullnetare.
Skema shqiptare është ndërtuar duke marrë si model sistemin turk të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet, krijuar me mbështetjen e Bankës Botërore. Megjithatë, ekzistojnë dallime të rëndësishme mes dy vendeve. Në Turqi, detyrimi ligjor për sigurim zbatohet vetëm për banesat urbane dhe nuk përfshin ndërtesat që nuk plotësojnë standardet teknike, ndërsa në Shqipëri, detyrimi përfshin si banesat urbane, ashtu edhe ato rurale.
Përvoja e tërmetit të vitit 2019 tregoi nevojën për një mekanizëm të qëndrueshëm sigurimi. Në 11 bashki të vendit u dëmet arritën në 7.5% të PBB-së. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregu i sigurimeve regjistroi mbi 6,200 dëme, prej të cilave rreth 93% u shlyen brenda një vitit me një vlerë totale që arriti në rreth 40 milionë euro.
Shqipëria konsiderohet një ndër vendet më të ekspozuara në Europë ndaj rreziqeve natyrore. Raporti i Rrezikut Botëror 2021 e rendit vendin të parin në kontinent për nivelin e ekspozimit ndaj fatkeqësive natyrore dhe në vendin e 61-të në rang botëror. Sipas Bankës Botërore, humbjet e mundshme nga një fatkeqësi natyrore me periudhë kthimi 250-vjeçare vlerësohen në 2.1 miliardë euro për tërmetet dhe 1.2 miliardë euro për përmbytjet.



