Zinxhiri i ushqimit të shpejtë, McDonald’s, ka kërkuar falje, pasi të premten në opinion u shfaq një video e cila dëshmon për ndalesën që i’u bë një vajze muslimane të hyjë në restorant, vetëm nga shkaku i mbulesës që kishte në kokë.
Videoja e publikuar nga një mike e vajzës e cila dëshiron të mbetet anonime, tregon sigurimin duke kërkuar nga vajza të heq hixhabin. Ajo kishte refuzuar një gjë të tillë, ndërkohë që kishte xhiruar incidentin i cili ka ndodhur në Londër. Videoja e shkurtër, tregon sigurimin i cili në mënyrë të vazhdueshme kërkon nga vajza të heq mbulesën nga koka, pasi paraprakisht e kishte bllokuar të hyjë në restorant.

“Më ndodhi edhe mua, ashtu siç u ka ndodhur edhe shuma vajzave tjera të cilat mbajnë hixhabin”, ka thënë vajza e diskriminuar për të përditshmen “The Guardian”. “Nuk u besoja syve, sepse kam parë video të tilla dhe një gjë e tillë tani më ndodhte edhe mua në jetën reale. Është e pabesueshme”, tha më tej ajo për të shtuar se këmba e saj, asnjëherë më nuk do të shkelë në McDonald’s.

Në reagimin e markës botërore të ushqimit të shpejtë, McDonald’s, thuhet se kompania nuk ka një politikë e cila ndalon hyrjen në restorantet e saj për vajzat me mbulesë në kokë, ose çfarëdo tjetër veshje religjioze. “Janë të mirëseardhur të gjithë klientët, pavarësisht besimit që kanë, prandaj i kërkojmë falje konsumatores sonë meqë një situatë e tillë nuk do të duhej të ndodhte”, thuhet në kërkimfaljen e kompanisë, e cila thotë se rasti do të trajtohet me personat e përfshirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re