Qendrat e vaksinimit në fakultete do të qëndrojnë të hapura dhe pas nisjes së vitit të ri akademik. Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino nxit studentët të marrin dozat anti-Covid. Në të kundërt për të hyrë në auditore çdo javë duhet të paraqesin një test negativ.
“Të rinjtë mund të vaksinohen fare mirë, qoftë me vaksinën kineze dhe Pfizer,” thotë ajo. Ndërkohë Bino sqaron të rinjtë rreth shqetësimeve që i bëjnë ata hezitues ndaj vaksinimit. “Nuk ka asnjë ndikim vaksina në shëndetin riprodhues. Të gjitha këto kanë qenë diskutime të hamendësuara,” thekson Bino. “Nëse e kanë kaluar dhe janë brenda 1-3 muaj, mund të mos jenë të vaksinuar, por të testohen,” shprehet Bino.
Aktualisht sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik dozat anti Covid i kanë marrë rreth 34% e personave nga 18 deri në 30 vjeç.