Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP Silva Bino ka paralajmëruar se në Komitetin Teknik të Ekspertëve është diskutuar edhe për vaksinimin e personave mbi 16 vjeç. Në një lidhje me Skype në “Opinion”, Bino tha se mund të vaksinohen gjimnazistët, por jo me detyrim.
Sipas Binos, në mënyrë që të vaksinohen personat mbi 16 vjeç duhet që të ketë një pëlqyeshmëri nga prindi.
Blendi Fevziu: Në Britaninë e Madhe, por edhe në vende si SHBA ka filluar vaksinimi për mosha më të vogla.
Silva Bino: Edhe tek neve duhet të jemi të qartë që FDA i ka dhënë vaksinës Pfizer mbi 16 vjeç autorizimin dhe kjo vaksinë mbi 16 vjeç do të përdoret për të gjithë. Nuk më takon të them vendimet e komitetit, por janë diskutuar.
Blendi Fevziu: Pra që do të thotë zonja Bino që edhe klasat e para, të dyta dhe të treta të gjimnazeve do të vaksinohen me detyrim njësoj si studentët?
Silva Bino: Klasat e gjimnazeve, natyrisht do vaksinohen. Nuk po them me detyrim. Do ta diskutojmë. Nuk merren vendimet menjëherë.
Blendi Fevziu: Flas te parimi, përderisa ia kërkon studentit do ia kërkosh edhe nxënësit.
Silva Bino: Nën 18 vjeç janë fëmijë dhe përgjigjet prindi dhe duhet të ketë një pëlqyeshmëri të prindit. Ka vende si Kina dhe Kili që kanë autorizuar dhe vaksinën kineze që në moshën 6 vjeç Kili dhe 3 vjeç Kina, por komiteti kërkon më tepër fakte dhe publikime për këtë gjë.