Ekspertja e të gjithë procesit të vaksinimit që po kryhet në Shqiperi ka siguruar qytetarët se vaksina Sinovac ka të dhëna optimiste në lidhje me efektshmërinë në popullatë dhe ajo pritet të parakualifikohet dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë këto ditë.

Silva Bino: Kemi të dhëna në lidhje me efektshmërinë e vaksinës në Turqi, i cili është një vend që ka marrë pjesë në fazën e tretë të studimit para se të fillonte vaksinimin masiv dhe kemi të dhëna nga Brazili e disa vende të tjera. Sinovac i ka ofruar OBSH për të marrë parakualifikimin.

Sinovac mund të kryhet mbi moshën 18 vjeç e lart pasi vetëm Pfizer dhe Moderna ka nisur studimet për tu aplikuar edhe tek fëmijët.

Antitrupat me Sinovac mund të krijohen brenda dhjetë ditëve të para pas dozës së parë, ndërkohë që doza e dytë mund të kryhet jo më afër se një muaj nga doza e parë por mund të shtyhet edhe më shumë. Për të katër vaksinat që janë në Shqipëri, pra Sinovac, Sputnik, Pfizer dhe AstraZeneca, Bino thotë se janë të efektshme ndaj Covid.

Por me këto ritme të vaksinimit, kur Shqipëria mund t’i kthehet normalitetit?

Silva Bino: Ne jemi në garë me kohën për të vaksinuar sa më shumë, sidomos me dozën e parë, në mënyrë që të arrijmë një mbulesë të mirë të vaksinave.

Në qoftë se ne do të kemi këtë furnizim me vaksina, të cilat do të vijnë sipas marrëveshjeve në kohën e duhur, besojmë se deri në fund të qershorit të kemi të vaksinuar të paktën 40% të popullatës.

Duke qenë se synohet lehtësimi i turizmit në këtë sezon do të vaksinohen edhe ofruesit e shërbimeve, hoteleve dhe restoranteve. /tch

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re