Kryeministri Kurti shpalli atë që beson se është figura ideale për president të ri të Kosovës: Murat Jasharin, nipin e bacës legjendar, të birin e Rifatit.
“Bindja ime ka qenë dhe vazhdon të mbetet se një figurë, profesor e personalitet sikurse Murat Jashari, do të gëzonte mbështetje gjithëpartiake, do të ishte nder për republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin. Rrethanat gjeopolitike, lufta në Ukrainë, konflikti SHBA-Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërt dhe të Mesme, si dhe kërcënimet e njëpasnjëshme nga Serbia, përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin kinetik në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi”, ka thënë Kurti në një mbledhje të Vetëvendosjes.
Por si Murat Jashari, ashtu dhe anëtarë tjerë të familjes, e kanë bërë të qartë më herët se nuk kanë ambicie për pozitën e presidentit, dhe një pozitë të tillë do ta shqyrtonin vetëm një rast të ndonjë gjendjeje të jashtëzakonshme apo lufte civile.
Por kujtojmë se Vjosa Osmani ka thënë se e dëshiron edhe një mandat, mirëpo VV-ja, e cila e pati kandiduar për mandatin e parë, tani nuk e përmend emrin saj.
Edhe partitë opozitare duket se nuk kanë votë për të, meqë me raste e kanë kritikuar për njëanshmëri në të mirë të partisë së Kurtit.
“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e të paktën 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secila parti të propozojë kandidatin e vet për president dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës brenda Kuvendit. Në fund do të fitojë ai ose ajo që arrin të marrë mbështetjen e deputetëve nga tri rundet, siç e kërkon Kushetuta në procedurën e saj”, ka thënë Kurti.
Ai e ka bërë këtë deklaratë teksa e ka komentuar ofertën që i ka bërë një ditë më parë Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës që emri i presidentit të propozohet nga partia që udhëheq ai.
Për të propozuar një kandidat për president duhet siguruar 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa VV-ja, e vetme, i ka 57 sosh. Të gjitha partitë tjera i kanë më pak se 30 deputetë.
Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, prej 120 votave në total.
Kurti ka paralajmëruar se të hënën do të diskutojë sërish për këtë çështje me liderin e LKD-së, Lumir Abdixhiku.



