Familjet muslimane në qytetin sirian të shkatërruar nga lufta, Idlib, kanë hyrë në muajin e Ramazanit në kushte të vështira jetese.

Muslimanët kryejnë obligimet fetare gjatë gjithë muajit të Ramazanit, që nga agjërimi deri te falja e rregullt e namazit të taravisë, pjesëmarrja në mukabale dhe recitimi i përditshëm i Kuranit.

Megjithatë, në disa pjesë ata përballen me probleme serioze politike, ekonomike dhe sociale, gjë që reflektohet në aktivitetet e tyre të Ramazanit.

Një nga ato vende është qyteti Idlib në Siri. Nuk është e pazakontë që banorët e saj të bëjnë edhe iftar në rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga sulmet ajrore të regjimit të Bashar al-Asadit.

Në mesin e atyre që shtruan iftarin e përgatitur në mesin e rrënojave të shtëpisë që dikur ishte shtëpia e tyre, është një familje pesanëtarëshe me tre fëmijë të vegjël.

Me ndërmjetësimin e Turqisë, Rusisë dhe Iranit, gjatë negociatave të majit 2017 në Astana, Idlibi u shpall një nga katër zonat e deeskalimit. Forcat besnike të regjimit të Asadit shkelën marrëveshjen dhe pushtuan tri zona, kurse në Soçi më 17 shtator 2018 u arrit një marrëveshje shtesë për një armëpushim në Idlib dhe krijimin e një zone deeskalimi.

Sipas marrëveshjes, forcat opozitare tërhoqën armët e rënda nga rajoni, ndërkohë që forcat besnike të regjimit të Asadit nuk ndaluan sulmet e artilerisë dhe ajrore në rajon.

Në mars 2020, Turqia dhe Rusia ranë dakord për një protokoll që u bën thirrje të gjitha palëve në Idlib të ndalojnë zjarrin, ndërkaq, forcat turke dhe ruse si garantues të armëpushimit kryejnë së bashku patrullime kontrolli përgjatë vijave të ndarjes.

Për shkak të sulmeve të forcave të regjimit, afër dy milionë sirianë nga Idlibi kanë ikur në qendrat kolektive pranë kufirit turk në pesë vitet e fundit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re