Organizata terroriste YPG/PKK po i pengon civilët në Siri të jetojnë një jetë të sigurt dhe paqësore duke kryer sulme nga rrethet ku janë të vendosur në Manbij dhe Tall Rifat, raporton Anadolu Agency (AA).

Terroristët e YPG/PKK-së vazhdojnë të synojnë civilët duke sulmuar zonat e pastruara nga terrori.

Civilët në Al-Bab në veri të Sirisë janë të ekspozuar ndaj sulmeve me raketa të YPG/PKK-së.

Në sulmin me raketa të organizuar nga organizata mbrëmjen e djeshme, shumë shtëpi, dyqane dhe automjete janë dëmtuar në qendrën e Al-Bab, ku jetojnë rreth 450.000 civilë
Civilët në Al-Bab ankohen se nuk kanë mjete për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga sulmet terroriste.

Civilët, të cilët duan që sulmet të përfundojnë, gjithashtu duan që organizata terroriste YPG/PKK të largohet nga rajoni.

– “Çfarë faji kishin të vrarët?”

Gazetari i AA-së u takua me banorët e rajonit, të cilët u ekspozuan ndaj sulmit me raketa të kryer dje nga YPG/PKK në qendrën e Al-Bab në zonën e operacionit “Mburoja e Eufratit”.

16-vjeçari Joher Debek, i cili ishte dëshmitar i sulmeve teksa po dilte nga shkolla, tha: “Kur arrita në lagje, raketat ranë pas meje. Këtu vdiq shitësi i valutës, shitësi i zarzavateve dhe mjeshtrit e motorëve”.
I zemëruar me YPG/PKK-në, Debek tha: “Ëndrrat tona përfundojnë në duart e organizatës. Cili ishte krimi i të vrarëve? Pse u mbytën? Pse po sulmojnë me raketa këtë rajon të çliruar? Fatmirësisht, askush nuk u dëmtua nga familja ime. Vetëm shtëpia jonë u dëmtua”.

– “Organizata terroriste prish paqen dhe besimin”

Ahmed Samo, fqinji i të cilit vdiq në sulm, deklaroi se ishte duke ngrënë darkë me djalin e tij në shtëpi kur ndodhi sulmi. “Raketa ra mes shtëpisë së fqinjit tonë dhe shtëpisë sime. Falë Zotit, neve nuk na ka ndodhur asgjë, por fqinji jonë humbi jetën dhe gruaja e tij u plagos. Organizata terroriste po prish paqen dhe sigurinë. Kërkojmë nga autoritetet që ta largojnë organizatën terroriste”, tha ai.

– “Gratë dhe fëmijët u frikësuan shumë”

Abdulmunim Ghazal, 63-vjeç, i cili është një nga dëshmitarët okularë të sulmit, tha se shtëpia e tyre ishte dëmtuar nga sulmi.
“Unë jetoj në këtë shtëpi me 4 fëmijët e mi. Ka pasur sulme, fatmirësisht nuk na ka ndodhur asgjë. Por shtëpia jonë është dëmtuar. Nuk kemi ushqim dhe bukë, si do ta riparoj shtëpinë time? Gratë dhe fëmijët u frikësuan shumë”, tha Ghazal.

– “Këto sulme të organizatës synojnë vetëm civilët”

Ndaj sulmit të YPG/PKK-së reagoi ashpër edhe një tjetër civil në Al-Bab, 65-vjeçari Jamall Susan.

“Unë jetoj në Al-Bab me 5 fëmijët e mi. Civilët nuk janë fajtorë për asgjë. Ata na shkatërruan shtëpitë tona. Këto sulme të organizatës synojnë vetëm civilët”, tha Susan.

Organizata terroriste YPG/PKK sulmon shpesh vendbanimet e kontrolluara nga opozita nga vija e frontit të Manbij dhe Tall Rifat, ku ajo është e vendosur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re