Ashtu siç e kishte paralajmëruar që prej ditës së shtunë, avokati i Emiljano Shullazitm Vladimir Meçi, ka apeluar vendimin për izolimin e klientit të tij, dhe të anëtarëve të tjerë të grupit, në regjimin e posaçëm 41 bis.

Ankimi i Meçit, dhe avokatëve të tjerë të të pandehurve është depozituar gjatë ditës së sotme në Gjykatën e Posaçme, pasi sipas tyre vendimi i dhënë është antiligjor, sa kohë që për subjektet nuk është dhënë ende një vendim i formës së prerë nga ana e Apelit.

Kërkesa për izolimin ishte nga një organ jo kopetent, i pa-vlefshëm, kjo kërkesë për izolim është bërë para se vetë SPAK të krijohej. Si e tillë, kërkesa për izolim, absolutisht e pa-vlefshme. Si akt i pa-vlefshëm duhet të ishte konstatuar nga Min. e Drejtësisë, e cila nga ana e saj ka kaluar kompetencat që i jep ligji në trajtimin e kësaj çështje.

Sipas avokatit në urdhër mungon shpjegimi logjik për vendosjen në 41 BIS të Shullazit. Sipas tij në një kohë kur ministria deklaron se ka indicie që Shullazi të ketë vazhduan aktivitetin kriminal brenda burgut, atëherë duhet të kishte prova konkrete për këtë akuzë, si dhe duhet të kishte filluar një procedim i ri penal në drejtim të tij.

Meçi shkruan në shkresën e tij drejtuar Gjykatës së Posaçme, se në rastin e Shullazit është mohuar një nga të drejtat më themelore, që është prezumimi i pafajësisë, sa kohë që nuk ka një vendim të formës së prerë nga gjykatat.

Edhe më herët Meçi është shprehur se përzgjedhja e emrit të Shullazit dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij ka qenë e qëllimshme, dhe është bërë për të fshehur dështimet që ka ndeshur SPAK në goditjen e grupeve kriminale, dhe luftimin e korrupsionit në nivele të larta.

Prej të shtunës Shullazi, dhe gjashtë persona të tjerë po mbahen nën regjimin 41 bis, i cili kufizon ndjeshëm numrin e kontakteve të tyre, si dhe takimeve, ndërkohë që çdo telefonatë përgjohet. Qelitë 41 bis ndodhen në burgun e sigurisë së lartë në Tiranë dhe në Peqin, ndërkohë që Shullazi mësohet se po mbahet në kryeqytet.

Ndaj tij është dhënë një dënim me 14 vite burg si pjesëmarrës në organizatë kriminale, vendim i cili është ankimuar në apel nga ana e avokatëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re