Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka bërë një deklaratë të fortë kundër sistemit aktual zgjedhor, duke e cilësuar atë si një “sajesë” të ndërtuar me qëllimin e vetëm për të mbajtur pushtetin me çdo kusht.
Në emisionin “Log.” nw News24, Bylykbashi u shpreh se ky sistem i bën dëm opozitës dhe partive të vogla, duke deformuar vullnetin e votuesve.
“Ky sistem duhet zhdukur një sekondë e më parë. I bën dëm partive të vogla, opozitës në tërësi dhe nuk përkthen votat në raport të drejtë. Është një sajesë për të marrë dhe mbajtur pushtetin, jo domosdoshmërisht me votë, por me dhunën e kartonit,” u shpreh ai.
Sipas tij, sistemi mazhoritari mund të ketë gjithashtu probleme, por aktuali është më i rrezikshëm për demokracinë dhe përfaqësimin real të qytetarëve.
“A është gati Rama ta ndryshojë këtë? Hajde të ulemi e ta diskutojmë. Por duhet të biem dakord: ky sistem duhet zhdukur nga kushtetuta dhe nga ligji zgjedhor,” deklaroi Bylykbashi.
Deklarata e Bylykbashit vjen në një kohë kur debati për reformën zgjedhore është rikthyer fuqishëm në skenën politike, sidomos pas zgjedhjeve të 11 majit dhe pritjes së raportit final të OSBE/ODIHR.