Kanceri i gjirit ka predispozitën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin femrat në të gjithë botën, sipas disa të dhënave nga Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimeve mbi Kancerin në Botë.  Arsyeja më e shpeshtë e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me më pak të ardhura ku pjesa më e madhe e grave diagnostikohen në faza të vonshme. Zgjodhëm muajin tetor, pikërisht muajin e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit për të risjell në vëmendje situatën në Spitalin Onkologjik QSUT.

Gazetarja Iliada Kovaçi, zhvilloi një intervistë me shefen e shërbimit të onkologjisë, dr. Silvana Çeliku, e cila u pyet lidhur me situatën aktuale në këtë shërbim për situatën e mbulimit me medikamente, aparaturat mjekësore etj.

Doktoresha, si është situata e mbulimit me medikamente në shërbimin e onkologjisë? A mbulohen të gjitha nevojat?

Aktualisht kemi prurje të reja në medikamentë. Ndërkohë ajo çfarë presim të mbulohet plotësisht është analiza imunohistokimike. Ky është një ekzaminim që bëhet nga mjekët e anatomisë patologjike. Kjo analizë e cila ndihmon në trajtimin e duhur të kancerit të gjirit ka patur një progres jashtëzakonisht të madh. Nga 50 pacientë që janë mbuluar në vitin 2012 kemi arritur deri në 400 pacientë. Ne si spital arrijmë ti mbulojmë dhe të gjithë por ka një pritje të vogël për disa pacientë.

Në këtë moment nuk kemi mungesa në medikamente. Ne vërtetë trajtojmë të sëmurët që vijnë këtu por edhe ata të sëmurë të cilët shkojnë jashtë, diagnostikohen dhe bëjnë një mjekim atje. Më pas po këta të sëmurë kthehen ketu për të vazhduar mjekimet. Pra, është një ngarkesë për buxhetin e drejtorisë spitalore sepse një pjesë e mirë e medikamenteve blihen nga shteti, pjesa tjetër janë nga fondi. Fondi i sigurimeve na ka mbuluar jashtëzakonisht shumë dhe na ndihmon me medikamente shumë të shtrenjta. Këto janë kryesisht tabletat, ku një tablet kushton rreth 1000-1500 euro. Pra, janë kimio shumë të shtrenjta por që kanë një numër të madh patologjish që trajtohen përmes tyre. Kombinimi midis buxhetit të spitalit edhe fondit të sigurimeve na ka bërë që të trajtojmë shumë patologji dhe me medikamente shumë të shtrenjta.  Mjekësia është shumë e shtrenjtë, që të arrijmë nivele shumë të larta duhet patjetër të paguajmë sigurime. Këto 8 vite kemi bërë një progres në mënyrën e trajtimit të pacientit. Pra, janë rritur shumë gamat e medikamenteve që kanë hyrë të cilat kanë bërë të mundur që të trajtohen shumë mirë pacientët dhe të rritet jetëgjatësia.

Të rritet jetëgjatësia dhe njëkohësisht me një cilësi jete shumë të mirë!

A ka një listë pritje aktualisht në spitalin e onkologjisë për kryerjen e kësaj analize?

Po, ka një listë pritje por numri nuk është shumë i madh. Shumë shpejt do zgjidhet dhe kjo çështje! Ministria e Shëndetësisë na ka dhënë një ndihmesë shumë të madhe pasi kanceri i gjirit është e vetmja sëmundje që është totalisht e mbuluar. Aktualisht, ka ardhur edhe një medikament i ri. Përpos herceptinës, ka ardhur një lloj tjetër i cili quhet “PHESGO”, një kombinim i dy medikamenteve. Me anë të këtij medikamenti pacientët do të kenë një trajtim bashkëkohor në të gjitha vendet e botës. Them se sëmundja e kancerit të gjirit është goxha e mbuluar me mjekime dhe trajtime pavarësisht problemeve që mund të ketë por e përgjithshmja është mirë. Vonesat kanë qenë shumë të vogla siç mund të ketë edhe për medikamente të tjera që mund të kemi pasur probleme por janë plotësuar.

Po përsa i përket aparaturave doktoresha, a e keni të gjitha kushtet për trajtimin e rasteve?

Aparaturat i kemi në përgjithësi të mira, sidomos radioterapia është bashkëkohore. Radioterapia ka programe të veçanta të cilat bëjnë të mundur që të trajtohet gjiri ose dhe organe të tjera. Pritet të vijë edhe i treti me të cilin do mbulojmë nevojat e popullsisë. Këtu bëhen vërtetë trajtime bashkëkohore, me cilësi dhe me pak efekte anësore për pacientin. Mund të ketë patur ndonjë ndërprerje të vogël si gjithë aparaturat që edhe prishen, ndaj janë dhe dy për të kompesuar atë që prishet. Kjo është gjendja aktuale. Krahasuar me vendet për rreth dhe situatën ndër vite jemi munduar me kërkesat tona por edhe me mbështetjen e marrë, që të siguojmë një trajtim të mirë.

Këtu pacientët shpesh janë ankuar për kohën e gjatë që duhet të presin për të marrë shërbimin, a është bërë diçka për të shmangur pritjen e gjatë apo për të menaxhuar fluksin?

E vërtëtë, shpesh na kanë kritikuar për rradhët e gjata por kudo në botë ka rradhë, sidomos në një spital publik ka më tepër fluks sesa në një spital privat. Nëse respektohen oraret duke u paraqitur brenda orarit do të shmangeshin situata të tilla. Në kimio nuk mund të futen të gjithë se janë 70-80 pacientë. Për këtë ne po mundohemi që ti ndajmë edhe nëpër rrethe. Kemi disa qendra ku janë mjekët onkologë që kanë shkuar në qytete si Fieri, Vlora, Korça dhe Shkodra. Në këto spitale rajonale ne çojmë dhe trajtime me kimioterapi në mënyrë që të mos vijnë të gjithë në Tiranë e të shmanget fluksi.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re