Kuvendi duhet të vazhdojë punën pa u ndikuar tek situata brenda Partisë Demokratike. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një komunikimi me gazetarët këtë të mërkurë.

“Puna e Kuvendit duhet të vazhdojë pa asnjë lloj interference nga gjithçka ka ndodhur brenda PD. Në fund të fundit biem dakord që Berishizmi dhe dhuna janë dy gjëra që janë në anën e një medalje. Në këtë aspekt keqardhje për çfarë ndodhi të shtunën e kaluar në selinë e PD, por kjo kurrsesi nuk mund të ndërlidhet me punën e grupit parlamentar të PD dhe rolin që luan grupi parlamentar i PD si grupi më i madh i opozitës në këtë sesion”, tha Balla.

Balla tha ndër të tjera se koha e Sali Berishës ka marrë fund, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se pse krahasohen me qeverisjen e shkuar.

“Sistemet e krahasimit janë sisteme të shtrira në kohë. Natyrshëm e kemi thënë që ne nuk krahasohemi dot se e bardha me të zezën nuk krahasohen dot. E zeza, koha e Sali Berishës, ka marrë fund njëherë e përgjithmonë. Sali Berisha i ka mbyllur hesapet me këtë vend dhe kush e kishte harruar mund t’i referohet të shtunës së kaluar”, shtoi Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re