Skip to content

Situata e zjarreve në vend/ 6 vatra aktive në disa bashki, mbi 65 hektarë tokë të djegur

Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e vendit janë raportuar 19 vatra zjarri, nga të cilat 6 prej tyre vijojnë të jenë ende aktive. Vatrat janë evidentuar në disa bashki, përfshirë Finiqin, Vlorën, Elbasanin, Poliçanin, Beratin, Hasin, Bulqizën, Malësinë e Madhe, Lezhën, Kolonjën, Korçën, Tiranën, Kavajën dhe Fierin.

  • Elbasan – Vatra në vendgrumbullimin e mbetjeve mbetet aktive, pavarësisht izolimit të saj nga forcat operacionale. Puna për shuarjen e plotë vijon edhe sot.

  • Finiq – Zjarri mes fshatrave Grazhdan dhe Malçan vazhdon të jetë aktiv në zonën lindore të fshatit Leshnicë e Poshtme, por është larg zonës së banuar. Forcat e MZSH dhe Forcat e Armatosura kanë qenë në monitorim gjatë natës.

  • Vlorë – Në zonën “Sotiran”, mes fshatrave Tragjas dhe Dukat (Orikum), zjarri mbetet aktiv në tri vatra të shpërndara. Ndërhyrja është e vështirësuar për shkak të terrenit.

  • Poliçan – Vatra aktive në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop. Janë përfshirë në operacion forca zjarrfikëse, bashkiake dhe pyjore. Deri tani janë djegur rreth 50 hektarë sipërfaqe me bimësi.

  • Bulqizë – Në “Livadhi i Peladhisë”, vatra është përhapur drejt “Malit të Bardhë” për shkak të erës dhe temperaturave të larta. Në terren ndodhen 26 forca operacionale dhe zjarrfikëse.

  • Malësi e Madhe – Në zonën “Bjeshkët e Parrusë”, njësia administrative Shkrel, ka pasur riaktivizim të vatrës. Pjesë e operacionit janë edhe forca vullnetare.

Si pasojë e këtyre zjarreve janë djegur rreth 65 hektarë sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte.

Në përpjekjet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar:

  • 37 automjete zjarrfikëse

  • 362 forca operacionale

  • 8 automjete të rënda

  • Forcat e Armatosura me 104 efektivë, 6 automjete zjarrfikëse, 1 pompë thithëse dhe 1 traktor me zinxhirë.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet nivel rreziku “i lartë” në shumicën e qarqeve, ndërsa në qarkun Durrës niveli parashikohet “i moderuar”, me përjashtime të lokalizuara me rrezik të lartë në jug të këtij qarku.

Mbrojtja Civile dhe strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë. U bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi:

  • Mos digjni mbeturina apo bimësi në ambiente të hapura;

  • Shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr;

  • Njoftoni menjëherë autoritetet për çdo rast zjarri në numrin emergjent 112.