Skip to content

“Situata është dramatike, shpresa për vendin është PD”- Berisha: Bashkimi i opozitës e ka tronditur Ramën! Do e sfidojmë në mënyrën e merituar

Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se situata në vend është dramatike dhe e vetmja shpresë për shqiptarët është Partia Demokratike.

Ai theksoi se bashkimi i opozitës e ka tronditur thellë Edi Ramën dhe se opozita “do e sfidojë atë në mënyrën më të merituar”.

“Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë”, tha ish-kryeministri.

Sali Berisha: Pra, situata është dramatike në të gjitha aspektet. Kontrolli kriminal i Edi Ramës forcohet çdo ditë e më shumë. Shpresë e vetme për të sotmen dhe të ardhmen e këtij kombi është opozita shqiptare, është PD.

Në përpjekjen tonë për të përmbushur misionin e vështirë në këto rrethana, ne kemi shpallur vendosmërinë tonë për hapjen dhe reformimin e mëtejshëm të PD.

Për angazhimin e elitës së vendit në përpjekjet e kësaj partie. Kemi shpallur bashkimin e opozitës dhe në këtë aspekt, hapat konkrete janë shënuar. Janë shënuar hapa konkrete me rezultate konkrete në bashkimin e deputetëve të PD, por edhe në bashkimin me aleatët tradicionalë të PD, të spektrit opozitar. Procesi i bashkimit nuk është një proces i thjeshtë, sepse nuk mund të ndodhë ndryshe veçse si një proces reflektimesh, si një proces i cili kërkon gradualitetin e tij, kërkon maturimin e tij.

Por e vërteta është se ky proces ka tronditur thellë Edi Ramën dhe e ka nxjerrë përsëri ashtu siç është, një armik i egër i opozitarizmit të vërtetë. Personalisht jam optimist për këtë proces. Personalisht jam i bindur se cilado të jetë manovra që do bëjë Edi Rama, qëndrimi ynë si opozitë e vërtetë do e sfidojë atë në mënyrën më të merituar.

Kemi nisur analizën në këtë parti, është e ngadalë por e domosdoshme. Fillimi sa më parë i një beteje të qëndrueshme, dhe synimi madhor ëshgtë largimi i Ramës nga pushteti.

Ish-kryeministri u shpreh se në samitin e Berlinit në Tiranë do bëjnë gjithçka “për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij”.

 

Sali Berisha: Ne nisëm analizën në parti. Ritmet e kësaj analize janë ngadalta. Por analiza është e domosdoshme. Është e domosdoshme së pari për të paraqitur para mbështetësve tanë dhe anëtarëve tanë tablonë e vërtetë të farsës elektorale maj 2023.

Jo rrallë dëgjon mendime, por ne i dimë ato, është e vërtetë që një pjesë e mirë e dinë, por ne punojmë me durim edhe për ata të cilët krejtësisht të qartë nuk e kanë. Edhe për ata që thonë se Edi Rama i vjedh, por i fiton zgjedhjet. Këta nuk janë të pakët.

Edhe për ata të cilët thonë se këta njëlloj janë. Pra, janë një seri kategorish qytetarësh, me të cilët ne jemi të detyruar të ulemi, të dialogojmë, të arsyetojmë. Janë 600 mijë, e thashë edhe njëherë, që votuan kundër qeverisë. Atëherë, arsyetimi me ta, debati me ta, është i domosdoshëm, kemi të bëjmë me një regjim të qartë diktatorial.

Kemi të bëjmë me një regjim, i cili për konjukturat gjeopolitike të kohës, pret me 16 tetor, Samitin e Berlinit. Ne e mirëpresim samitin, pa diskutim, por ne do bëjmë gjithçka për të paraqitur para audiencës së nderuar evropiane, të vërtetat e Edi Ramës dhe regjimit të tij.

Kjo sigurisht jo me asnjë qëllim tjetër, përveçse një informim korrekt në të gjitha nivelet, për këtë regjim që bazohet në krimin, në drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Mediat kanadeze publikuan një artikull të gjatë të tërë për kartelin e Sinaloas dhe miqtë e Edi Ramës, Luftar Hysën, etj. Pra, të gjitha këto e bëjnë më të komplikuar betejën tonë, por ne do e bëjmë këtë betejë, se ne kemi të drejtën, ne kemi të vërtetat me vete. Ne nuk shtojmë, nuk deformojmë asnjë të dhënë.

“”