Mjeku reanimator, Artur Hatia, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se vendimi për hapjen e shkollave është i drejtë, sepse faktet kanë treguar se koronavirusi ka shumë pak përhapje tek fëmijët.

“Vendim i duhur është për shkollat, sepse tek fëmijët ka pasur pak raste. Ka shqetësim, por nuk ka të dhëna që fëmijët janë një rrezik i madh. Ka shqetësim që mësuesi mund të përhapë, ndodh, por të dhënat faktike tregojnë se tek fëmijët nuk ka përhapje të madhe, sidomos në grup-moshat nga klasa e parë tek e nënta”, tha Hatia.

Më tej, Hatia u shpreh se situata nga Covid-19 paraqitet e paprecedent, duke vlerësuar se pacientët tashmë duhet të trajtohen nëpër lagje.

“Situata është e vështirë, e ngarkuar, kapacitetet janë afër limiteve. E gjitha ka ndikuar edhe tek personeli. Ju keni dëgjuar edhe Italinë, që thoshin jemi tmerruar, kemi qenë keq etj. Situata është vërtetë e rëndë. Nuk ishim mësuar me kaq humbje jetësh. Kemi përjetuar situata të rënda në këto kohë, ka pasur njerëz që nuk ia kanë dalë dot të luftojnë koronavirusin.

Ne përpiqemi të krijojmë lidhje të forta me pacientët. Në mendimin tim, është me rëndësi që Covid-19 të kapet në kohë dhe kështu edhe terapia nis herët. Do sugjeroja rritjen e numrit të testeve, në funksion të trajtimit. Jam për fillimin e trajtimit të menjëhershëm të Covidit. Pas testimit, me ta të merren mjekët e familjes nëpër banesa. Kështu ulet numri i pacientëve në spitale. Duhet të nisim trajtimin e pacientëve nëpër shtëpi”, u shpreh mjeku Hatia.

Në fund, Hatia deklaroi se situata nga koronavirusi në vendin tonë mund të vazhdojë e tillë edhe për së paku 2 muaj të tjerë, në tetor dhe në nëntor.

“Kam përshtypjen se në këtë situatë do mbetemi deri në tetor apo nëntor 2020. Fakti që tek ne numri i viktimave nga koronavirusi është i ulët ne raport me rajonin është patjetër në favorin tonë. Unë jam që të dalim, të testojmë dhe të nisim mjekimin pranë familjes. Kjo do të ishte me kosto më të ulët. I mëshoj parandalimit me mjekim. Të gjithë pacientet vdesin në terapi intensive, fatkeqësisht”, përfundoi Hatia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re