Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e konsideron kritike situatën nga koronavirusi, por sipas saj nën kontroll

Nëpërmjet një konference për media, ajo tha se rastet janë dyfishuar krahasuar me një muaj më parë.

“Është një situatë kritike sepse krahasuar me një muaj më parë kemi dyfishim të rasteve të infektimeve”- u shpreh ajo.

Manastirliu tha se ka një rritje të numrit të vatrave. “Vihet re një rritje e numrit të vatrave të infektimit ku janë 265 vatra aktive në Shqipëri, ku 76% rezultojnë të jenë vatra familjare. Është një analizë e bërë nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Duhet menjëherë të bëhet izolimi. Lufta bëhet në disa fronte, por fronti i parë është individual”, theksoi ajo.

Duke u ndaluar tek strategjia e testimit e kritikuar në vijimësi nga opozita, shefja e Shëndetësisë në vend thotë se metoda është hartuar nga komiteti i ekspertëve i bazuar edhe mbi rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Strategjia jonë e testimit është hartuar nga komiteti i ekspertëve, duke u këshilluar me OBSH-në, me struktura të tjera ndërkombëtare që vlerësojnë situatat epidemike, duke u mbështetur në kapacitetet tona testuese, Komiteti i Ekspertëve ka ndërtuar një strategji që ka rezultuar efektive. Ajo çfarë deri më tani është bërë është më e mira që ne mund të bënim”, u shpreh ajo.

loading...