Nga Blendi Gashi

Qëndrimi i shprehur nga nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri pro mbështetjes së Thaçit kryenegociator, ka shpallur zyrtarisht “luftën” brenda kësaj partie edhe pse zyrtarët e saj në deklarimet për media bëheshin se janë më unik se kurrë.

Haziri, një nga njerëzit më të fuqishëm në LDK dhe pretendenti për të marrë kreun e partisë vitin e ardhshëm, të premten mori dy goditje.

Së pari nga kryetari i grupit parlamentar, Avdullah Hoti dhe sekretari Ismet Beqiri, të cilët reaguan fuqishëm ndaj deklaratës së Hazirit për Thaçin duke thënë se një deklarim i tillë nuk përfaqëson partinë.

Goditjen e dytë Haziri e mori nga vendlindja e Mustafës, fshati Prapashticë e Podujevës ku kreu i LDK-së mblodhi kryetarët e degëve të partisë në të cilin takim prezent nuk ishte Haziri edhe pse është kryetar i Degës së Gjilanit.

Nga ky takim LDK lëshoi një kumtesë ku tha se “të gjithë kryetarët e degëve mbështetën qëndrimin e kryesisë së LDK-së, se institucionet nuk kanë legjitimitet dhe vendi është në krizë institucionale”, duke aluduar se Thaçi s’mund të jetë kryenegociator, ndërsa më tej tha se është e gatshme të udhëheqë dialogun me Serbinë pas legjitimimit qytetarë në zgjedhjet e reja.

Duke ditur se kumtesa e partisë për takimin në fjalë nuk lëshohet pa lejen e Mustafës, i bie që ky i fundit hapur ka dalë kundër Hazirit, edhe pse mbetet të shihet nëse do flasë personalisht për çështjen në fjalë.

Pyetja shtrohet: a ja ka vërsulur Mustafa njerëzit e tij Hazirit dhe përmes tyre synon ta lë jashtë loje për kryetar partie dhe ta mbështet më pas qoftë Avdullah Hotin apo Agim Veliun?

Mustafa nuk e ka fare problem t’ia kthejë shpinën Hazirit pasi këtë e bëri me 2010-tën ndaj ish-mikut të tij më të mirë, Fatmir Sejdiu, kur e rrëzoi nga karriga e kreut të partisë.

Edhe tani mund ta luajë lojën e njëjtë dhe pasardhës në krye të partisë mos ta lë Hazirin, sidomos kur dihet fakti se po përfundon karrierën politike.

Por siç duket Haziri ka kuptuar se së fundmi koha nuk po ecën për të. Ndërsa kolegët e partisë ishin mbledhur në Prapashticë, Haziri së bashku me Bajram Gecajn, ish-këshilltar i Mustafës, zhvillonin takime me njerëz të partisë në Anamoravë e Dukagjin.

Kjo padyshim është një sinjal se “lufta” për kreun e partisë zyrtarisht ka nisur dhe javëve e muajve në vazhdim ajo veç sa do rritet.

Do jetë pikërisht Haziri që ditëve të ardhshme me kundërpërgjigjen që do jep ndaj kolegëve të partisë do të tregoi se si do marrin rrjedhën gjërat në LDK.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re