Rritja e numrit të personave të prekur nga gripi, është një gjë normale referuar periudhës në të cilën ndodhemi.

 

I këtij mendimi ka qenë mjeku Ilir Alimehmeti gjatë një interviste për Vizion Plus.

 

Ai deklaroi më tej se kategoria që ka më tepër ndërlikime kur kalon gripin janë të sëmurët kronikë, fëmijët, apo pacientët që vuajnë nga sëmundjet respiratore.

 

“Ka një përhapje mesatare të gripit. Kemi dy vjet që virozat e gripit ishin pak ose aspak për shkak të Covid.

 

Te fëmijët e vegjël që kanë lindur në këtë periudhë nuk kanë pasur mundësi të takohen me këto viruse.

 

Jemi në mes të janarit dhe dihet që kjo është periudha që është piku.

 

Moshat më të prekura për ndërlikime janë personat e sëmurë, ata që kanë probleme respiratore apo fëmijët. Trajtimi është simptomatik. Mos alarmohemi që në momentet e para”, tha Alimehmeti.

 

 

I pyetur nga Pranvera Borakaj për virusin RSV që po qarkullon në vendin tonë, Alimehmeti tha se ky është një virus që ka gjysëm shekulli që njihet nga mjekët në Shqipëri.

 

Për këtë virus sipas tij, shumë pak persona i drejtohen spitalit.

 

“RSV është një virus që e njohim mbi gjysëm shekulli. Sipas BBC brenda moshës 2 vjeç marrin kontakt me këtë virus. Komplikohet në 1% të rasteve që mund të shihet nga mjeku. Në Shqipëri shumë pak njerëz drejtohen në spital nga ky virus. Jemi të përshtatur për këtë virus”, tha Alimehmeti.

 

Mjeku shton se faza e Covid ka përfunduar që në muajin mars të vitit të kaluar.

 

“Faza akute ka mbaruar në mars 2022. Në 12 mars 2022 OBSH iu drejtua Kinës dhe i tha boll me strategjinë e Covid. Por u desh e disa muaj që shtetet e tjera të përshtateshin me këtë. Ne po kalojmë tani në mes të dimrit dhe nuk po shohim problematik të Covid. Ai është kthyer në fazë pandemike dhe pas disa vitesh do jetë si këto virozat”, tha Alimehmeti.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re