Mjeku Arben Pilaca ka folur tepër i shqetësuar në lidhje me situatën e koronavirusit në vend, duke bërë thirrje për mbyllje të menjëhershme të shkollave, transportit publik dhe aktiviteteve jo thelbësore.

Pilaca shton më tej se nëse nuk mbyllen që nesër, atëherë rrezikojmë që betejën me virusin e rrezikshëm ta fitojë ky i fundit.

“Situata që po kalojmë është me të vërtetë kritike, unë do të thoja që nëse ne do i japim avantazh virusit ai vetëm do të na sfidojë dhe do ta fitojë ai betejën. Mekanizmi më i fortë që mund ta frenojmë pandeminë është lufta në terren jashtëspitalore. Gjurmimi, izolimi nuk mjafton, duhet të parandalojmë transmetimin sa të mundim.

Modeli ynë në fazën e dytë i ngjan Suedisë, e cila dështoi. Mendoj që masat shtrënguese janë të vonuara. Unë jam për ndërhyrje të forta, që kur e kishim kurbën më të ulët. Nuk them për gjoba e orare të kufizuara. Që nesër padiskutim të mbyllen shkollat e lokalet dhe aktivitetet që nuk janë jetësore, janë shumë gjëra që na jep ndjesia profesionale, kafet, restorantet dhe transporti publik të mbyllet që nesër”, u shpreh Pilaca.

Duke folur për ekonominë, Pilaca tha se duhet të mendohet edhe për atë që harxhojnë njerëzit e sëmurë, Ai thekson se nuk është për bllokim total por për masa të forta.

“Kam një dhimbje për ekonominë por e mendoni sa harxhojnë njerëzit e sëmurë. Nuk jam për bllokim total, por për masa të tilla të forta, jo për gjobë. Duhet distancuar njerëzit, është tmerr në rrugët e Tiranës dhe Shqipërisë, janë të mbushura”, shtoi ai.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re